×
  • Lajme
  • Botë

    Sulmet ajrore izraelite vrasin 16 njerëz në Gazë, thonë zyrtarët palestinez

    Reporteri
    16 Shtator 2024 | 22:37

    Zyrtarët palestinezë kanë thënë se sulmet ajrore izraelite i kanë vrarë 16 njerëz në Rripin e Gazës të hënën, përfshirë pesë gra dhe katër fëmijë.

    Një sulm ajror e bëri rrafsh me tokën një shtëpi në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore, duke i vrarë së paku 10 njerëz në të, përfshirë katër gra dhe dy fëmijë.

    Spitali Awda, i cili i pranoi trupat e viktimave, e konfirmoi lajmin dhe shtoi se 13 njerëz të tjerë u plagosën nga ai sulm.

    Sipas të dhënave të spitalit, në mesin e të vdekurve ishte një nënë dhe fëmija i saj, si dhe pesë motra e vëllezër të saj.

    Një sulm tjetër në një shtëpi në Qytetin e Gazës i vrau gjashtë njerëz, përfshirë një grua dhe dy fëmijë, sipas Mbrojtjes Civile, mjekëve emergjentë të cilët punojnë nën udhëheqjen e qeverisë së Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Izraeli thotë se në shënjestër i vë vetëm militantët dhe e akuzon Hamasin dhe grupet e tjera të armatosura se po i rrezikojnë civilët duke vepruar në zonat e banimit.

    Ushtria izraelite rrallëherë i komenton sulmet individuale, në të cilat shpesh vriten gra dhe fëmijë.

    Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se më shumë se 41.000 palestinezë janë vrarë në Gazë prej se sulmi i 7 tetorit nga Hamasi në Izrael e nxiti luftën mes tyre. Ministria nuk bën dallimin mes luftëtarëve dhe civilëve në llogaritjen e numrit të të vdekurve në këtë luftë, por thotë se mbi gjysma e të vrarëve janë gra dhe fëmijë.

    Izraeli thotë se i ka vrarë mbi 17.000 militantë, pa dhënë dëshmi për këtë.

    Lufta ka shkaktuar rrënim të madh dhe i ka zhvendosur mbi 90 për qind të banorëve të Gazës prej 2.3 milionë.

    Lufta nisi kur Hamasi kreu një sulm më 7 tetor në jug të Izraelit, ku vrau rreth 1.200 njerëz dhe rrëmbeu mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!