×
  • Lajme
  • Botë

    Talibanët thonë se kanë eliminuar një celulë të ISIS-it

    Reporteri
    04 Tetor 2021 | 15:14

    Talibanët njoftuan se kanë shkatërruar një celulë të grupit ekstremist Shteti Islamik (ISIS) përmes një operacioni të kryer vetëm disa orë pas shpërthimit vdekjeprurës afër një xhamie në Kabul.


    Njoftimin e bëri zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid, përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

    Ai shkroi se të gjithë anëtarët e celulës së IS-it janë vrarë. Operacioni është zhvilluar nga një njësit special i forcave të talibanëve.

    Sulmi afër xhamisë në Kabul ishte ndër më të rëndit që kur talibanët morën nën kontroll Afganistanin.

    Menjëherë pas sulmit askush nuk e mori përgjegjësinë, por Mujahid i tha Radios Evropa e Lirë më 3 tetor se bazuar në hetimet fillestare në sulm janë përfshirë militantët e lidhur me IS-in.

    Në Afganistan, grupi Shteti Islamik vepron si Provinca Khorasan e Shtetit Islamik (IS-K). Ky grup është një armik i talibanëve.

    Talibanët inspektojnë vendin ku kishte ndodhur një shpërthim në Xhalalabad më 18 shtator 2021.

    Sulmet e militantëve janë shtuar që kur talibanët morën nën kontroll vendin.

    Sulmi në xhaminë në Kabul ndodhi gjatë një ceremonie lutjeje për vdekjen e nënës së zëdhënësit të talibanëve, Zabihullah Mujahid.Sayed Khosty, një zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme në qeverinë e udhëhequr nga talibanët, i tha Radios Evropa e Lirë se dy persona u vranë dhe dy u plagosën. Ai shtoi se tre persona ishin arrestuar në lidhje me sulmin.

    Militantët e IS-K kanë pretenduar disa sulme kundër talibanëve, përfshirë disa vrasje në kryeqytetin, Xhalalabad.

    Talibanët dhe militantët e IS-K janë rivalë dhe kanë luftuar mes vete edhe para se talibanët të merrnin kontrollin e Afganistanit në gusht, teksa trupat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, u tërhoqën nga vendi.Shumica e analistëve, si dhe Kombet e Bashkuara, vlerësojnë se IS-K ka më pak se 2,000 luftëtarë, krahasuar me 100,000 sa kanë në dispozicion talibanët.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!