×
  • Lajme
  • Botë

    Tragjedia e teleferikut në Itali: Hetimet thonë se ka patur ndërhyrje të qëllimshme te frenat

    Reporteri
    26 Maj 2021 | 20:40

    Frenat e emergjencës në teleferikun që u rrëzua në veri të Italisë të dielën, duke shkaktuar vdekjen e 14 personave, kishin pësuar “ndërhyrje”, thanë prokurorët ndërkohë që tre persona janë arrestuar nën akuzat e vrasjes së pavullnetshme dhe neglizhencës.


    Të tre, përfshirë pronarin e firmës që administron linjën Stresa-Mottarone pranë liqenit Maggiore në Piemonte, pretendohet se kanë bërë një “gjest të vetëdijshëm” duke “ndërhyrë” te frenat e urgjencës në mënyrë që të “shmangin ndërprerjet” te shërbimi i teleferikut, raporton Ansa, duke cituar kryeprokuroren Olimpia Bossi.

    Sistemi i teleferikut kishte “anomali” që kur rifilloi shërbimin në fund të prillit, tha ajo. “[Teleferiku] kishte udhëtuar në atë mënyrë për disa ditë dhe kishte bërë disa udhëtime,” tha Bossi.

    Teleferiku po transportonte 15 persona në udhëtimin 20-minutësh midis qytetit turistik Stresa dhe malit Mottarone. Ishte disa metra nga destinacioni kur ra 20 metra në pyjet poshtë. Një djalë 5-vjeçar, i cili ndodhet në kujdes intensiv në Torino, është i vetmi i mbijetuar i tragjesisë. Mjekët thanë se djali kishte hapur sytë dhe shenjat për jetën janë pozitive.

    Prindërit e fëmijës, shtetas izraelitë rezidentë në Itali, vëllai i tij më i vogël dhe gjyshërit nuk mbijetuan. Viktimat e tjera, përfshirë një djalë gjashtë vjeçar, ishin italianë dhe një burrë i cili kishte lindur në Iran dhe jetonte në Romë.

    Disa orë pas incidentit, u ngritën shqetësime mbi sigurinë e infrastrukturës së transportit të Italisë. Ministria e Transportit tha se sistemi i teleferikut ishte rinovuar në gusht të vitit 2016 dhe ishte kontrolluar totalisht për mirëmbajtjen në vitin 2017 si edhe ishin kryer inspektime të mëtejshme vitin e kaluar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!