Tre shqiptarë do të jenë pjesë e listave të partisë greke me bindje të majta, Lëvizja Panhelenike Socialiste, e njohur shkurtimisht si PASOK.
Emrat e Eda Gemit, Arjana Barjabës dhe Fatos Malajt iu bënë të njohur 4,500 anëtarëve të partisë dhe kongresistëve të pranishëm gjatë simpoziumit dyditor që nisi të shtunën në Athinë.
Tre kandidatët shqiptarë kandidojnë përkatësisht për zgjedhjet e Parlamentit Europian, për këshillin bashkiak të Athinës dhe për një post parlamentar në zgjedhjet e fundvitit, dhe pritet të përfaqësojnë interesat e mijëra shqiptarëve që jetojnë në shtetin fqinj.
Kandidati Malaj ka qenë një nga hartuesit e projektligjit për nënshtetësinë dhe atë të lejeve të qëndrimit për nënat më fëmijë të lindur në Greqi, ndërsa shqiptarja që synon një post në Parlamentin Europian ka eksperiencë të mëparshme me eurodeputetët grekë prej kohës kur ajo nisi të militojë për PASOK.
Kryetarja e partisë Fofi Genimata, duke folur në prag të përgatitjeve elektorale për zgjedhjet e ardhshme, iu drejtua rivalëve politikë duke i akuzuar për rënie në konservatorizëm, ndërsa e vlerësoi partinë e saj si forcën e vetme që do të sjellë ndryshim.
Ajo tha se këtë vit votuesit grekë nuk duhet të kenë më dilemën për zgjedhjen mes partisë SYRIZA apo konservatorëve të Demokracisë së Re.
Në konventën e aleancës politike “Lëvizja për Ndryshim”, që vjen pak javë përpara zgjedhjeve në Parlamentin Europian dhe ato lokale e kombëtare, u vu gjithashtu theksi te nevoja e reformimit ideologjik të skenës politike vendase.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.