Një nga ngjarjet që tërheqin më shumë vëmendjen gjatë fushatës zgjedhore dhe që ndiqen më së shumti nga qytetarët amerikanë, është debati mes kandidatëve përpara votimit.
Debati përveç shpalosjes së pikëve më të forta të programit, shihet si një mundësi e mirë për të afruar pranë vetes votuesit e pa vendosur.
VOA analizon se tashmë pas fjalimeve gjatë kuvendeve, atij republikan dhe demokrat gjatë të cilave u bë edhe pranimi i kandidaturave zyrtarisht nga kandidatët përkatës, Trump dhe Biden kanë pasur rastin të theksojnë sërish mesazhin e tyre para votuesve. Të dy janë veçanërisht të përqendruar tek votuesit në shtetet e lëkundura, ndërkohë që përgatiten për debatin e 29 shtatorit: “Mendoj se do të shohim një debat të ndezur, dy kandidatët duke i prerë fjalën njeri-tjetrit,” thotë Jennifer Mercieca, pedagoge e komunikimit në Universitetin “Texas A&M”.
Mercieca ka deklaruar se është e qartë fakti që të dy kandidatët e këtyre zgjedhjeve presidenciale janë të zotët për të sulmuar kundërshtarin.
“Presidenti nuk rezervohet kur hedh thumba apo kur tallet me rivalët në debate, siç e pamë në 2016-tën. Joe Biden, me sa kam parë, ka një eksperiencë më të gjatë në politikë.
E ka treguar veten se nuk lëviz lehtë nga qëndrimet e tij. Në 2012, gjatë debatit nënpresidencial, u pa qartë kur pak a shumë në stilin e zotit Trump, filloi të vinte në lojë opozitën”, ka thënë zonja Merceica.
Mënyra se si organizohet debati është i njëjtë prej shumë vitesh tashmë. Debati drejtohet nga një gazetar që drejton pyetje dhe kandidatët përgjigjen. Debati fillon me prezantimin e një teme apo skenari, kandidatët kanë 30 minuta të diskutojnë me konsulentët dhe ndihmësit dhe të kthehen me një zgjidhje që t’ia paraqesin shikuesve.
Pastaj fillon debati se si kandidati arriti në përzgjedhjen e kësaj zgjidhje dhe ofron një analizë.
“Mendoj se është me vlerë kur shohim kandidatët përballë njeri-tjetrit. Dëgjojmë si flasin, tonin që përdorin, por edhe qëndrimet politike. Ata kanë rastin të akuzojnë kundërshtarin për veprime apo politika të caktuara, ose t’u përgjigjen akuzave të kundërshtarit,” thotë Merceica duke analizuar nisur nga fusha e saj e ekspertizës rëndësinë e debatit presidencial.
Sipas një ankete të firmës kërkimore Pew, 10% e votuesve në 2016-ën thanë se vendosën për kë do të votojnë gjatë ose menjëherë pas debatit.
Pas raporteve se nuk kishte pranuar që të vizitonte një varrezë amerikane gjatë një udhëtimi në Francë në vitin 2018 dhe se kishte përçmuar ushtarët amerikanë të rënë në Europë, Presidenti Donald Trump mbrojti sërish mbështetjen që ai u ka dhënë trupave amerikane ndërsa zyrtarët e administratës u rreshtuan krah tij.
Në një artikull të botuar në revistën “The Atlantic” pretendohej se Trump iu referua marinsave amerikane si “humbës” dhe se nuk kishte pranuar ta vizitonte varret e tyre në një zonë pranë Parisit, në nëntor 2018-s, për shkak të shqetësimit se shiu që binte atë ditë do t’i shpupuriste flokët.
Presidenti e hodhi sërish poshtë si të pavërtetë një lajm të tillë. Trump i cili po kërkon të rizgjidhet pjesërisht për shkak të mbështetjes së tij të fortë ndaj ushtrisë amerikane, kritikoi ashpër demokratët dhe mediat në një postim në Twitter:
“Ata do të thonë gjithçka, si gënjeshtrat e tyre të fundit për mua dhe ushtrinë, me shpresën se diçka do të mbetet … por #MAGA e kupton!”, shkruante Presidenti duke iu referuar mbështetësve të tij që mbështesin parullën e tij “Ta bëjmë Amerikën sërish madhështore”.
Gjatë një interviste për rrjetin televiziv CNN të dielën sekretari për Çështjet e Veteranëve Robert Wilkie u bëri jehonë komenteve të javës së kaluar të sekretarit të Mbrojtjes Mark Esper, se Trump i respekton trupa amerikane dhe se ai kurrë nuk kishte dëgjuar që presidenti të përçmonte ushtarakët amerikanë apo veteranët.
Sekretari i Thesarit Steven Mnuchin gjithashtu mbështeti Presidentin. “Presidenti ka qenë gjithmonë 100 për qind mbështetës i ushtrisë”, u tha Mnuchin gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë.