Një delegacion i shtetit serb ka udhëtuar dje drejt Anakarasë, ku do të lidhë një marrëveshje për blerjen e disa dronëve luftarakë të njohur me emrin “bajraktar”.
Sipas medieve të Serbisë, ministri i Financave në Serbi Sinisha Mali, dhe zëvendësministri i Mbrojtjes për burime materiale, Nenad Milloradoviq kanë udhëtuar për në Turqi.
Siç raportohet, ata kanë udhëtuar për përgatitjen e dokumentacioneve pas të cilave, një nga sistemet luftarake më të fuqishme në botë do të arrijë në Serbi.
“Bajraktar” është një prodhim turk që është provuar të jetë shumë efektiv në konfliktet në Siri, Irak, Libi dhe luftimet e fundit në Karabakh.
Dronët “Barjaktar” janë një produkt i korporatës turke Kale-Bajkar, avioni prodhohet dhe shitet në dy versione si një avion luftimi dhe zbulimi me ose pa armë. Ajo u fut në përdorim ushtarak në 2014. Zhvillimi i versionit të dronit me armë gjithashtu filloi në vitin 2014, dhe ai version i avionit është shënuar Bajraktar TB-2. Ky avion është ndërtuar në përputhje me kërkesat e ushtrisë turke dhe është i armatosur me lëshues të raketave të drejtuara me lazer me një kalibër 70 milimetra dhe municion gjysmë automatik të drejtuar me lazer.
Gjatësia e dronit është 6.5 metra, hapësira e krahëve është 12 metra, shpejtësia maksimale është rreth 220 kilometra në orë dhe fluturon në një rreze prej rreth 300 kilometra”, shkruajnë mediat serbe.