Dita e dytë e procesit politik kundër ish-presidentit Donald Trump, zbuloi përsëri skenat dramatike të mërkurën e 6 janarit në Kapitol.
Senati amerikan rifilloi seancën duke shfaqur videoregjistrime të mbështetësve të ish-presidentit duke mësyrë brenda korridoreve të Kongresit, siç pretendon shumica demokrate, të nxitur prej republikanit që prej muajsh refuzonte humbjen në zgjedhje kundër rivalit Joe Biden.
Ligjvënësit thanë se i mbetet Trumpit përgjegjësia për vrasjen e 5 personave atë ditë si pasojë e përballjes me forcat e sigurisë.
“Ai u dha udhëzime të qarta se si, ku dhe kur duhet të luftonin për të ndalur vjedhjen e zgjedhjeve, sipas tij. U tha që të paraqiteshin në 6 janar dhe të marshonin në Kapitolin amerikan për të ndaluar certifikimin e rezultatit zgjedhor. Dhe u tha që të vijnë e të luftojnë si dreqi.”
“Ta kemi të qartë se asnjë gjykatë, asnjë gjyqtar i vetëm nuk e pranoi pretendimin se rezultati ishte apo duhej shpallur i pavlefshëm.”
“Pamë një burrë të dëshpëruar për pushtet, i gatshëm për ta mbajtur atë me çdo kusht. Dhe kur i mbaruan mjetet jo të dhunshme, u kthye te bandat e dhunshme që sulmuan dhomën tonë të Senatit më 6 janar.”
Me gjithë komentet dhe pamjet e dhunës të ekspozuara në sallën e Senatit, senatorët republikanë nga partia e ish-presidentit thanë të mërkurën se mbetet për t’u parë vendimi i tyre në lidhje me procesin.
Dënimi i Trumpit kërkon votën e 17 republikanëve për të plotësuar kushtin e dy të tretave të dhomës, por deri tani gjasat për këtë janë të pakta.
Ndërkohë ish-kreu i shtetit nuk e ka komentuar gjyqin politik ndërsa qëndron në resortin e tij luksoz që pas dorëzimit të pushtetit më 20 janar.