Një burrë që vrau katër gra indigjene në provincën kanadeze të Manitobas është shpallur fajtor për vrasje të shkallës së parë, shkruan BBC.
Avokatët e Jeremy Skibickit, 37-vjeçar, kanë bërë përpjekje që të argumentojnë se nuk ishte përgjegjës për krimin sepse po vuante nga skizofrenia në kohën e vrasjeve.
Prokurorët kanë deklaruar se krimet e tij ishin të motivuara në bazë të racës dhe se ai kurrë nuk ishte diagnostikuar me ndonjë sëmundje mendore, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Teksa gjykatësi lexonte vendimin, shumë persona në sallë duartrokitën teksa të tjerët ishin në lot.
Skibicki nuk reagoi kur gjykatësi Glenn Joyal lexoi përmbledhjen e vendimit të tij.
Viktima të Skibickit ishin Morgan Harris, Marcedes Myran dhe Rebecca Contois. Gruaja e katër e cila ende nuk është identifikuar, është emëruar si Mashkode Bizhiki’ikwe, që do të thotë Gruaja Bufalo, sipas të lashtëve indigjenë.
Gjykatësi Joyal ka deklaruar se i akuzuari ka dështuar të demonstrojë se nuk është përgjegjës për vrasjet, duke mohuar dëshminë e psikiatrit britanik Sohom Das, i cili ka deklaruar se Skibicki është i motivuar nga imagjinata kur kreu vrasjet.
Gjykatësi shtoi se “pamjet e pamëshirshme” të rasteve nuk janë kontestuar, për shkak se i akuzuari kishte pranuar vrasjet në intervistat me policinë.
Vendimi ka ardhur si lehtësim për familjet e viktimave. Këto familje kanë thënë se rasti shpërfaq dhunën ndaj grave indigjene në Kanada.
Gjykatësi Joyal ka thënë se rasti kishte “ndikim të thellë në krejt komunitetin Manitoba, përfshirë indigjenët dhe jo-indigjenët.
Me Skibickin që pritet të dënohet me burgim për jetë, autoritetet janë të përqendruara që të gjejnë mbetjet e dy viktimave të tij, të cilat besohet se janë në një lëndinë në Winnipeg.
Një kërkim zyrtar pritet të realizohet në vjeshtë.
Skibicki vrau gratë mes marsit dhe majit të vitit 2022. Contois besohet se është viktima e tij e parë.
Dy prej viktimave besohet se i ka takuar në qendrën për të pastrehët në Winnipeg.
Gjykatësi është pajtuar me prokurorët se ai qëllimisht kishte cak dhe shfrytëzoi gratë e dobëta.
Gjatë procesit gjyqësor që zgjati një javë, gjykata ka dëgjuar se Skibicki kishte sulmuar, ngufatur ose mbytur, pastaj kishte kryer marrëdhënie seksuale me viktimat, para se t’ua copëtonte trupat dhe t’i vendoste në shporta të bërllokut.
Vrasjet nuk janë vërejtur me muaj, derisa një burrë që po kërkonte metale gjeti mbetje njerëzore në majin e vitit 2022 dhe telefonoi policinë.
Policia kishte identifikuar mbetjet e Contois.
Gjatë muajve në vijim ishin gjetur mbetjet e tjera.
Në intervistat me policinë pas arrestimit, Skibicki e pranoi menjëherë se kishte vrarë Contois dhe tri gra të tjera.
Rasti ka shfaqur plagët e thella të komunitetit indigjenë në Kanada që me shekuj është përballur me numrin e madh të rasteve kur gratë e tyre zhduken ose vriten.
Nëpër Kanada, gratë indigjene janë 12 herë më të rrezikuara që të vriten ose të zhduken sesa gratë tjera, thuhej në një hetim të vitit 2019.
Shumë gra vazhdojnë të jenë të zhdukura. Familjet kanë frikë se Skibicki mund të ketë vrarë shumicën prej tyre.
Mirëpo Gjykata ka deklaruar se nuk beson se ai ka vrarë më shumë gra./Reporteri.net/