×
  • Lajme
  • Botë

    Vritet gazetari i njohur, teksa mbulonte konfliktin midis forcave afgane dhe talebanëve

    Reporteri
    16 Korrik 2021 | 22:53
    LAJMI I FUNDIT - REPORTERI

    Gazetari i agjencisë së lajmeve “Reuters”, Danish Siddiqui mbeti i vrarë të premten ndërsa mbulonte një përleshje mes forcave afgane të sigurisë dhe talebanëve në afërsi të kalimit kufitar me Pakistanin.


    Forcat speciale afgane ishin në luftë me guerrilasit për të rimarrë nën kontroll zonën strategjike Spin Boldak, kur Siddiqui dhe një oficer i trupave afgane mbetën të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit.

    Në cilësinë e gazetarit, Siddiqui ishte bashkuar me forcat afgane të sigurisë të vendosura në provincën jugore të Kandaharit dhe raportonte për luftimet që po zhvillohen.

    Presidenti i agjencisë “Reuters”, Michael Friedenberg dhe kryeredaktorja Alessandra Galloni bënë të ditur se po punonin me autoritetet afgane në rajon për të marrë më shumë informacion mbi ngjarjen.

    “Danish Siddiqui ishte një gazetar i jashtëzakonshëm, një bashkëshort dhe baba i përkushtuar, si dhe një koleg i dashur. Mendimet tona janë me familjen e tij në këto momente të vështira”, u shprehën ata.

    Siddiqui ishte pjesë e ekipit të fotoreporterëve të “Reuters” që fitoi çmimin Pulitzer për dokumentimin e krizës së refugjatëve Rohingya.

    Gjithashtu, përveç luftës në Afganistan ai kishte mbuluar edhe atë në Irak dhe së fundmi protestat në Hong Kong dhe tërmetet në Nepal.

    Guerrilasit talebanë morën nën kontroll zonën kufitare me Pakistanin ditën e mërkurë, duke realizuar një nga arritjet kryesore të ofensivës së tyre në një kohë kur forcat amerikane dhe ato të NATO-s po tërhiqen nga vendi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!