×
  • Lajme
  • Botë

    Zaev për vonesat në procesin e integrimit: BE rrezikon të humbasë influencën në Ballkan

    Reporteri
    19 Maj 2021 | 21:20

    Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka paralajmëruar Bashkimin Europian se në rast se procesi i integrimit për vendin e tij dhe Shqipërinë vazhdon të pengohet, do të cënohet imazhi i Unionit në rajon dhe shtete të tjera rivale të perëndimit mund të mbushin vakuumin politik.


    Këtë shqetësim ai e ka shprehur në një intervistë me POLITICO ku thotë mes të tjerash: “Shumë çështje janë trajtuar në një mënyrë që qytetarët tanë nuk e prisnin duke ndikuar kështu në një rritje të euroskepticizmit…. Kemi bërë shumë sakrifica dhe në fund BE nuk plotëson anën e saj të pritshmërive? Ky është një problem. Ne kemi treguar më shumë vlera europiane dhe mirësjellje përkundrejt institucioneve të Europës sesa vetë vendet anëtare.”

    Zaev ka shtuar se mos hapja e bisedimeve që është vonuar për disa vite si për Shkupin ashtu dhe për Tiranën, shtete që janë të rrethuara nga anëtarë të BE, por nuk kanë akses në Union dhe në benefitet që sjell anëtarësimi, ka sjellë zhgënjim dhe ide për të kërkuar alternativa përsa i përket bashkëpunimit politik dhe rritjes ekonomike.

    Gjithashtu, sipas kryeministrit social-demokrat humbja e besimit dhe shpresës tek institucionet e BE-së mund të bëjë që Kosova dhe Serbia të mos investojnë në dialogun mes tyre, çka do të minonte stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

    Vakuumi politik në këtë rast do të plotësohej nga aktorë të tjerë të mëdhenj gjeopolitikë si Rusia dhe Kina, çka u vërtetua edhe kur në mungesë të mbështetjes nga BE, shtetet e Ballkanit Perëndimor morën vaksinat anti-COVID ruse dhe kineze për të nisur fushatën e imunizimit përkundrejt pandemisë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!