×
  • Lajme
  • Botë

    Zaev shkarkon mbi 50 drejtorë dhe anëtarë të agjencive shtetërore

    Reporteri
    17 Korrik 2019 | 18:58

    Kryeministri maqedonas Zoran Zaev, ka firmosur shkarkimin e mbi 50 drejtorëve dhe anëtarëve të ndërmarrjeve dhe agjencive shtetërore, për shkak të mungesës së rezultateve në menaxhimin e tyre.


    Në mesin e drejtorëve të shkarkuar janë edhe ata të disa kompanive të mëdha energjetike, si: “MEPSO”, “ELEM”, “Rrugët e Maqedonisë”, “Hekurudhat e Maqedonisë”, “Agjencia e Barërave”, Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim, të shtëpive të shëndetit, të institucioneve kulturore e të tjerë, raporton top-channel.

    I ashtuquajturi “operacioni fshesa” ishte paralajmëruar prej disa kohësh nga shefi i ekzekutivit. Ai nuk ka kursyer kuadro nga të gjitha partitë në pushtet, përfshirë edhe ato shqiptare.

    Argument i Zaevit ishte se drejtuesit e shënjestruar nuk kishin dhënë rezultate, megjithatë disa prej tyre largohen edhe për shkak të riformatimit të institucioneve, ku kanë ushtruar funksionet, siç është rasti me Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, qe transformohet në Agjenci të Sigurisë Kombëtare.

    Zaev është përballur së fundmi me një valë kritikash nga opozita por edhe nga opinioni i gjerë për mungesë të rezultateve në punën e qeverisë dhe mosrealizimin e premtimeve të bëra gjatë fushatës zgjedhore.

    Në fillim të korrikut ai bëri dhe një riformatim të qeverisë, por opozita as në atë rast nuk u kënaq, duke e cilësuar nismën e tij thjesht si një “farse”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!