×
  • Lajme
  • Lajme

    Brenda katër ditëve humbën jetën tre të mitur kosovarë që po trajtoheshin jashtë vendit, edhe 700 pacientë janë ende në listën e pritjes

    Reporteri
    28 Prill 2021 | 11:09

    Autor: Arlinda Rrmoku


    Vetëm në periudhën janar-mars të vitit 2021, 307 kosovarë kanë aplikuar që të udhëtojnë jashtë vendit për t’u trajtuar për sëmundjet nga të cilat ata vuajnë. E ndërkohë, rreth 700 të tjerë ndodhen ende në listën e pritjes.


    Por ka nga ata pacientë të cilët përveç që nuk po mund t’i marrin shërbimet e nevojshme në institucionet publike shëndetësore, nuk po marrin as mbështetjen e nevojshme financiare me kohë nga shteti dhe si pasojë gjendja e tyre shëndetësore po përkeqësohet, shkruan Reporteri.net.

    Vetëm brenda katër ditëve, tre të mitur kosovarë humbën jetën duke mos mundur t’i bëjnë ballë sëmundjeve të rënda me të cilat po përballeshin, e për të cilat po trajtoheshin jashtë vendit.

    9-vjeçari nga Peja, Gent Nikqi, vdiq të enjten e 22 prillit, pak ditë pasi u dërgua për shërim në Turqi.

    Genti vuante nga një sëmundje e mëlçisë për transplantin e së cilës familjes i duheshin 100 mijë euro.

    Kjo shumë ishte e papërballueshme për familjen Nikqi dhe për këtë arsye në medie e rrjete sociale qytetarët u mobilizuan që t’i sigurojnë të gjitha mjetet e nevojshme për dërgimin e Gentit në Turqi.

    E vetëm një ditë më vonë, humbi jetën po ashtu në Turqi edhe 17-vjeçari gjilanas, Dren Ukshini.

    Dreni vuante nga Leukemia Akute dhe prej një viti e gjysmë po luftonte me sëmundjen në shtetin e Turqisë.

    Ndërsa të martën u dha lajmi se kishte pushuar së rrahuri edhe zemra e 13-vjeçares nga Vushtrria, Rinesa Maliqi.

    Ajo ishte diagnostifikuar me sëmundjen ‘Anemia Plastike’ dhe po trajtohej në Turqi.

    Edhe për familjen e Rinesës, shuma që nevojitej për shërimin e saj ishte e papërballueshme, prandaj kishin kërkuar ndihmë nga qytetarët që të sigurohen 140 mijë euro.

    Fatin e njëjtë si të këtyre e patën edhe Nazlije Sherifi nga Mitrovica e Mirsad Leku nga Drenasi, të cilët humbën jetën në fillim të këtij viti.

    19-vjeçarja Nazlije, nuk arriti që t’i mbijetonte sëmundjes, ndonëse u mblodhën plot 200 mijë euro për shërimin e saj.

    E për Mirsadin duheshin 80 mijë euro për ta trajtuar sëmundjen e Leukemisë Akute.

    Sëmundjes së rëndë nuk arriti që t’i bëjë ballë as Bjordi 6-muajsh, i cili vuante nga sëmundja ‘D-TGA’, e për të cilin po ashtu u kërkua ndihmë nga qytetarët që të dërgohet për trajtim mjekësor jashtë vendit.

    Viti 2021 ishte fatal edhe për shumë të tjerë të cilët ishin në pritje ose kishin nisur trajtimin në spitalet jashtë Kosovës.

    Nga Zyra për Informim në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, kanë bërë të ditur për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ se vetëm për periudhën janar-mars të vitit 2021, gjithsej 307 kosovarë kanë aplikuar për të udhëtuar për shërim jashtë vendit.

    Prej tyre, 175 kanë qenë raste urgjente, për të cilat zakonisht fondet për trajtim lëshohen më shpejt.

    “Buxheti Historik për Programin për Trajtim Mjekësor Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike (TMJISHP) i ndarë nga Qeveria e Kosovës është 6 milionë euro, ndërsa buxheti i alokuar për periudhën janar-mars 2021 është 572 mijë e 59 euro e 61 centë.”, thuhet në përgjigjen e FSSH-së për Gazetën Online ‘Reporteri.net”.

    Nga FSSH kanë bërë të ditur se gjatë vitit 2021 për shërim jashtë vendit kanë aplikuar 968 pacientë kosovarë, prej të cilëve 471 kanë qenë raste urgjente.

    Sëmundjet për të cilat kosovarët më së shpeshti referohen nga Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për trajtim jashtë vendit janë: pediatrike (malinje, kardiokirurgjike etj.), oftamologjike dhe ortopedike. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!