×
  • Lajme
  • Lajme

    Brnabiq del nga kontrolli, thotë se liderët kosovarë kanë zbritur nga mali

    Reporteri
    30 Maj 2019 | 15:50

    Kryeministrja serbe gjatë ditës së djeshme, duke komentuar aksionin e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, eskaloi me deklaratat e saj me ç’rast i quajti shqiptarët “njerëz të malit”, transmeton Reporteri.net.


    “Ajo që mua më shqetëson është fakti se ke të bësh me llojin më të keq të populistëve, me njerëz të cilët vërtetë duket sikur kanë dalë nga mali. Disa prej tyre janë terroristë që nuk janë dënuar. Kanë qenë të dënuar në Tribunalin e Hagës. Nuk janë dënuar vetëm për faktin që gjatë atij procesi janë vrarë  të gjithë dëshmitarët. Si mund ta dimë se çka mund të bëjnë nesër.  Atyre nuk iu intereson nëse atje shpërthen lufta ose jo dhe kjo më shqetëson. Kjo tmerrësisht më shqetëson”, u shpreh Brnabiq në një konferencë për media.

    Brnabiq shkoi edhe më tutje duke thënë se Kosova është në fakt “zemra e Evropës ku bëhet fjalë për trafikimin e drogës, armëve dhe njerëzve”. Ajo tha se tërë aksioni në veri të Mitrovicës ishte planifikuar në mënyrë që Mitrovica të paraqitej si një vend i krimit dhe korrupsionit.

    Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli i cili ka thënë se sa të jetë në këtë pozitë, nuk do të lejojë që kryeministrja serbe, Ana Brnabiq të hyjë në Kosovë, për sa kohë që ajo të ndjekë ideologji raciste kundër popullit të Kosovës.

    Për deklaratat e Brnabiqit ka reaguar edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi  i cili tha se gjuha e përdorur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, është “edhe një tjetër dëshmi e urrejtjes patologjike të regjimit aktual të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës”.

    Thaçi kërkoi nga Bashkimi Evropian që të reagojë në lidhje me këto deklarata. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!