Mobil-shop ‘Fita’ dhe mobil-shop ‘Gega’ ishin në mesin e shtatë lokacioneve që u bastisen sot në Prishtinë nga Dogana e Kosovës dhe ATK’ja.
Aksioni që u zhvillua të mërkurën, gjatë ditës, kishte për qellim parandalimin dhe luftimin e ekonomisë jo-formale në vend, thuhet në kumtesën e organeve përkatëse, shkruan Reporteri.net.
“Gjatë ditës së sotme Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë zhvilluar aksion në Prishtinë, në shtatë (7) lokacione të ndryshme, me qëllim të parandalimit dhe luftimit të ekonomisë jo-formale në sektorin që veprimtari ka shitjen dhe servisimin e telefonave mobil, të njohur ndryshe edhe si mobi shop, i cili është vlerësuar paraprakisht se ka risk të lartë të in-formalitetit”, u bë e ditur nga Dogana dhe ATK’ja.
Si rezultat i këtij aksioni janë sekuestruar 46 telefona mobil dhe tableta si mall pa dokumentacion, po ashtu gjatë ekzaminimit të dokumentacionit është hasur edhe në mungesë të stoqeve apo nën-deklarim.
“ATK të gjitha aktivitetet e saj për luftimin dhe parandalimin e ekonomisë jo-formale i ka në harmoni me Strategjinë Kombëtare të Republikës së Kosovës për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë Jo-formale, Pastrimin e Parave, Financimin e Terrorizmit dhe Krimeve Financiare 2019-2023, si dhe bazuar në Planin Operative të ATK-së, analizën e riskut dhe Departamentin e Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës”, thotë komunikata.
Në mesin e këtyre 7 lokacioneve ku u zhvillua aksioni, në pamjet e siguruara nga portali ‘indekonline’ shihet se janë edhe dy nga mobil-shopet më të njohura në kryeqytet. Fjala është për mobil-shop ‘Fita’ dhe atë ‘Gega’.
Se mobil-shop ‘Fita’ shet telefonë pa kupon fiskal, në publik, kohë më parë, kishte denoncuar edhe një qytetare nga Prishtina. Për reagimin e saj në facebook kishte raportuar edhe Gazeta Online ‘Reporteri.net’.
Vlora K., tregonte se si Mobile-Shop “FITA”, i ka shitur asaj një telefon, pa kupon fiskal, gjoja me garancion. Por, sipas saj, pas pak javësh telefoni i është prishur dhe i është dashur të paguaj shumë para për ta rregulluar.
“Pasi u ballafaqova me këta mashtrues dhe siç rëndom diskutojmë hallet me shoqërinë e kuptova se ishin shumë viktima të mashtrimit dhe vjedhjes si unë nga po të njëjtit por që askush nuk kishte ndërmarr ndonjë hap sepse indiferenca dhe mungesa e shpresës (ngase në këtë vend gjithçka ka shkuar për lesh) i paralizon njerëzit nga ndërmarrja e veprimeve”, shkruante ajo në gusht të vitit të kaluar.
Ndaj saj kishte reaguar vetë pronari i kompanisë e cila mban emrin e tij. Ai pretendonte se nuk i ka shitur askujt telefon të prishur. Por, sipas tij ankuesja Vlora K., kishte shkuar të kërkonte garancion për telefonin që i kishte rënë në ujë.
Madje, Fetahu në adresën e “Reporteri.net” kishte dërguar edhe një video të kamerave të sigurisë të lokalit të tij, në të cilën shihet edhe ankuesja, dhe pretendonte se në pamje shihet momenti kur ai me telefonin e saj e ka fotografuar telefonin e prishur për t’ia dëshmuar gjendjen e celularit të cilin ankuesja e kishte blerë në dyqanin e tij, e që më pas i ka rënë në ujë. /Reporteri.net/.