Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës ka folur lidhur me ngërçin institucional. Sipas tij, pa një marrëveshje politike s’mund të ecet tutje.
Ai ka deklaruar se në situatën aktuale, më shumë gjasa ka që të krijohet qeveria sesa të shkohet në zgjedhje.
Ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje nuk mundet e vetme ta çojë vendin në zgjedhje, anipse thotë se gjasat për zgjedhje janë reale.
“LVV e vetme nuk mundet me çu vendin në zgjedhje, partitë opozitare po duket që përveçse nuk janë homogjene në qëndrime e kanë edhe ato një dozë hezitimi për t’u bërë pjesë e pushtetit”, tha Cakolli.
Ai shtoi se kalkulimi për zgjedhjet lokale po e pengon marrjen e përgjegjësisë për të krijuar qeverinë.
Sipas Cakollit, VV nuk ka interes t’i formojë institucionet.
“Dita e sotme, por në fakt edhe ajo e pardjeshmja dhe dy seancat e tjera kanë treguar një realitet që për bindjen time është shumë i hidhur. E para, partia e parë nuk ka interes për marrëveshje politike, rrjedhimisht nuk ka interes as me i formu institucionet sipas obligimeve kushtetuese”.
“Në anën tjetër partitë opozitare nuk janë të interesuara as ato t’ia bëjnë numrat, por në anën tjetër nuk janë të interesuara as që ato me e pas të paktën praktikisht mundësinë që me tentu ato themelimin e institucioneve”, është shprehur Cakolli në Klan Kosova.