×
  • Lajme
  • Lajme

    Cakolli: Votimi në ambasada, në kundërshtim me Kodin për Zgjedhjet të Komisionit të Venecias

    Reporteri
    02 Prill 2021 | 17:37

    Iniciativa urgjente e Lëvizjes Vetëvendosje për të ndryshuar apo plotësuar legjislacionin zgjedhor ka ngritur shumë polemika në vend.


    Vetëvendosja e Albin Kurtit po e shtynë përpara këtë proces, duke kërkuar ndryshimi i Projektligjit për Zgjedhjet, në veçanti pjesën e votimit të diasporës nëpër ambasadat e shteteve përkatëse.

    Kjo çështja e fundit përmendet në dokumentin e Komisionit të Venecias, sipas të cilit nuk mund të bëhet votimi nëpër ambasadat përkatëse të shteteve.

    Komisioni Evropian për Demokracinë nëpërmjet Ligjit – i njohur më gjerësisht si Komisioni i Venecias i Këshillit të Evropës – është një organizatë ligjore e pavarur që e ka filluar veprimtarinë e saj me ndihmesën e dhënë për hartimin e kushtetutave të demokracive të reja në përputhje me kulturën kushtetuese evropiane.

    Kundër iniciativës së Vetëvendosjes kanë dalë edhe partitë opozitare: Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Kujtim Shala nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e kanë lëshuar mbledhjen menjëherë pasi ka filluar, ku është diskutuar për ndryshimin e Projektligjit për Zgjedhjet.

    Hamza tha se ky Projektligj është shumë i rëndësishëm, por se Qeveria duhet të ketë prioritetet e tjera, siç janë zhvillimi ekonomik dhe sigurimi i vaksinave.

    I njëjti nuk ka treguar nëse do të qëndrojnë më sallë për votimin e këtij Projektligji, seancë kjo që është caktuar për në orën 17:00, por që ende nuk ka nisur.

    Kundër nismës së Vetëvendosjes ka dalë edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

    Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se një procedim i tillë për ndryshimin e Ligjit po bëhet në një formë totalitare derisa ka kritikuar Kurtin për arrogancë të numrave.

    Ai thotë se qëllimi i kësaj nisme nuk është i mirë, meqë po synohet të kontrabantohet në Kuvend pa kurrfarë konsultimi me partitë opozitare.

    Iniciativa Lëvizjes Vetëvendosje është kritikuar edhe nga KDI.

    Eugen Cakolli nga KDI ka thënë se në këtë momentum politik, çfarëdo iniciative për ndryshimin dhe plotësimin e legjislacionit zgjedhor, pavarësisht përmbajtjes, është e gabuar për të paktën dy arsye.

    Sipas tij, kjo iniciativë aty-për-aty, po bëhet pa konsultim me opozitën, në kundërshtim me parimin e gjithëpërfshirës dhe transparencës – që duhet domosdo ta shoqërojnë procesin e reformës.

    Ndërsa së dyti, ”kjo iniciativë, edhe nëse nuk ka fare lidhje me mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të parakohshme parlamentare (si formë presioni), sipas Cakollit është sërish në kundërshtim me Kodin e Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore, të Komisionit të Venecias. Ky i fundit, parasheh që elementet themelore të sistemit zgjedhor, veçanërisht ato që mund të kenë ndikim përcaktues në rezultatin e zgjedhjeve, nuk duhet të ndryshohen më pak se një vit para zgjedhjeve, ose si ndryshime, duhet të parashihen në Kushtetutë apo ligje të një niveli më të lartë se ligjet e zakonshme. E Kosova domosdo të ketë zgjedhje të rregullta të nivelit lokal në vjeshtë të këtij viti”.

    “Kosova ka nevojë për reformim përmbajtjesor e teknik të sistemit zgjedhor, por jo me iniciativa të parcializuara që adresojnë secila elemente të caktuara. Mbi të gjitha, reformimi i sistemit zgjedhor duhet të reflektojë një konsensus më të gjerë politik”, ka thënë Cakolli,

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!