×
  • Lajme
  • -->
    Lajme

    Çeku: Zgjidhjet konkrete për problemet e Prishtinës do t’i hartojmë bashkë me qytetarët

    Reporteri
    19 Qershor 2025 | 22:10

    Lëvizja Vetëvendosje ka zyrtarizuar, të mërkurën kandidaturën e Hajrullah Çekut për kryetar të Komunës së Prishtinës, në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen më 12 tetor 2025.

    Në një deklaratë në Facebook, Çeku tha se ky hap shënon fillimin e një rrugëtimi të ri dhe afatgjatë për kryeqytetin. Ai e cilësoi këtë si një bashkim vullnetesh për Prishtinën, duke theksuar nevojën për një qeverisje të ndershme, transparente dhe të orientuar drejt zhvillimit gjithëpërfshirës.

    “Prishtina mund të bëhet, Prishtina do të bëhet. Do ta bëjmë bashkë,” tha Çeku, duke shtuar se zgjidhjet për problemet e qytetit do të hartohen dhe zbatohen në bashkëpunim të ngushtë me qytetarët.

    Ai shprehu mirënjohje për Qendrën e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë për mbështetjen e dhënë dhe u zotua se besimi i marrë do të kthehet në një fitore për qytetin dhe një qeverisje me standarde të larta.

    Çeku tha se fushata e tij do të fokusohet në krijimin e një Prishtine të pastër, të gjelbër dhe të drejtë, me theks të veçantë tek përkujdesja për shtresat më të ndjeshme të shoqërisë.

    “Angazhimi fillon sot. Për fëmijët tanë dhe ata që ende nuk kanë lindur,” përfundoi ai.

    Postimi i plotë:

    Lëvizja për Prishtinën!

    Sot nuk po nisim vetëm një fushatë, por një rrugëtim afatgjatë për kryeqytetin që duam. Ky është bashkim vullnetesh i njerëzve që Prishtinën e duan përnjëmend. Lëvizja për Prishtinën ka filluar.
    Prishtina mund të bëhet, Prishtina do të bëhet. Do ta bëjmë bashkë. Zgjidhjet konkrete për problemet e Prishtinës do t’i hartojmë bashkë me qytetarët. Ato do t’i zbatojmë serish bashkë me qytetarët.

    Shpreh mirënjohjen time të përzemërt për kryetarin, kryesinë, anëtarët dhe aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë. Besimin që më kanë dhënë do ta kthejmë në fitore dhe qeverisje të mirë.

    Angazhimi fillon sot. Për Prishtinën tonë. Të pastër e të gjelbër, me duar të pastra e vizion zhvillimor, me mirëqenje për të gjithë, sidomos për ata që kanë më së shumti nevojë. Për fëmijët tanë dhe ata që ende nuk kanë lindur.

    Na priftë e mbara dhe dalshim faqebardhë 🤍

    Shpërndaje:
    -->
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!