Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet të takohen nesër në Bruksel me ndërmjetësimin e të Dërguarit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Këtë e ka bërë të ditur pak ditë më parë vetë Lajçak, i cili njoftoi se në takimin paraprak temë diskutimi ishte edhe rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës për pagesa me para të gatshme.
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili u shfaq në Bruksel një muaj pasi kishte deklaruar se ai për çështjen e dinarit nuk do të shkonte në Bruksel, tha se do t’i dërgonin këto propozime për një zgjidhje afatshkurtër e afatgjate lidhur me dinarin.
“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë Bislimi javën e kaluar.
Lidhur me këto propozime, Bislimi kishte folur edhe në takimin me ambasadorin amerikan javën e kaluar, por që i njëjti tha para gazetarëve se nuk ishte njoftuar me ndonjë të tillë nga zëvendëskryeministri Bislimi.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.
Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha të shtunën se nuk ka propozim që Kosova i pranon e që janë në kundërshtim me rregulloren e BQK-së.
“Ata japin vazhdimisht propozime. Unë nuk është e thënë që propozimet e tyre t’i shpalos publikisht duke bërë zëdhënësin e ambasadave. Nuk e bëj dot këtë punë. Unë po tregoj që ne i kemi ofruar një letër Bankës Popullore të Serbisë nga ana e guvernatorit, që në këtë rast na përfaqëson të gjithëve si qytetarë të Republikës, juve si gazetarë, mua si kryeministër dhe ne presim përgjigje nga ana tjetër”
“Për opsionet që kanë dhënë amerikanët, gjermanët, e të tjerët, unë besoj që duhet të flasin ata vetë”, u shpreh Kurti në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
I pyetur më specifikisht se a janë refuzuar propozimet e Escobarit, Kurti përsëriti se nuk ka propozime që pranohen nga Qeveria e tij e që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së.
“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së dhe njëkohësisht ne mund të merremi vetëm me pjesën e mbështetjes në terren nëse ka probleme. Sepse problemet që mund të shkaktohen, jo domosdo do të mund t’i zgjidhë të gjitha vetë Banka Qendrore e Kosovës. Në Republikën demokratike janë detyrat dhe funksionet e ndara”, u shpreh Kurti./Reporteri.net/