×
  • Lajme
  • Lajme

    Çështja e targave, a është përfundimtar refuzimi i Kurtit

    Reporteri
    26 Tetor 2022 | 7:38

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme ka thënë se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.

    Këtë Kurti e ka bërë të ditur në një adresim para gazetarëve.

    “Ne tashmë e kemi bërë një shtyrje më 31 korrik. E kemi shtyrë për një muaj dhe në vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, tha Kurti.

    Kurti tha se se fushata negative nga Beogradi dhe aktet e dhunës ndaj disa personave që kanë konvertuar targat, ka bërë që shumë serbë të Kosovës të frikësohen t’i konvertojnë ato.

    “Është fushata negative që e ka burimin në Beograd por edhe aktet e dhunës ndaj disa personave që i kanë konvertuar targat.

    Këto akte të dhunës kanë ndikuar që këta serbë në vend se ti konvertojnë targat në RKS por në ato të Serbisë, sepse po frikësohen prej disa prej kriminelëve në veri, që siç kemi parë kanë djegur edhe vetura. Kjo kampanjë negative dhe dhuna ndaj serbëve janë të papranueshme për Qeverinë e Kosovë, dhe do të jenë të patolerueshme dhe sigurisht më parë herët sesa vonë”, u shpreh Kurti para mediave.

    A është “jo” e Kurtit përfundimtare?

    Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në vizitën e tij të fundit në Kosovë, ka kërkuar që afati për targat të shtyhet për 10 muaj. Kërkesën e njëjtë e ka bërë edhe Bashkimi Evropian.

    Po gjatë ditës së djeshmet Shtetet e Bashkuara është kanë thënë se presin një zgjidhje “paqësore” brenda ditëve në vijim lidhur me këtë çështje.

    Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, ka bërë të ditur se sekretari Antony Blinken u ka kërkuar kryeministrit Albin Kurti e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, angazhim për garantimin e paqes dhe stabilitetit në rajon.

    “Do të vazhdojmë që ta mbështesim dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Do të vazhdojmë të jemi partnerë, si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë, me shpresën që vendet ta zgjidhin këtë mosmarrëveshje në mënyrë paqësore gjatë ditëve në vijim”, ka thënë Price.

    Qëndrimi i Qeverisë rreth afatit për targa ka marrë mbështetjen edhe të opozitës.

    Shefi i Grupit Parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri në një konferencë për media ka thënë se “secili veprim të cilin e ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës në çështjen e targave e që respekton sovranitetin e vendit, e ka përkrahjen e kësaj partie”

    Tahiri gjithashtu tha se është e rëndësishme që të ketë edhe koordinim me ShBA-në, mirëpo ky koordinim duhet të rezultojë me respektimin e sovranitetit të Kosovës.

    Dy vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe çka ndodhi më 31 korrrik

    Vendimi i Qeverisë së Kosovës për lëshimin e dokumentit për hyrje/dalje, por edhe ai riregjistirmin e targave rritën tensionet në pikëkalimet kufitare në veri të Kosovës më 31 korrik dhe 1 gusht, me serbët lokalë që bllokuan rrugët.

    Kosova, më një gusht, për disa orë lëshoi dokumente të tilla, por vendimi u përcoll me barrikada nga serbët në veri të Kosovës.

    Pasi ata hoqën barrikadat, Qeveria e Kosovës shtyu vendimin për 1 shtator.

    Kjo me kërkesë të ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, i cili e ka kërkuar shtyrjen e implementimit të reciprocitetit të targave dhe të dokumenteve hyrëse-dalëse për 30 ditë.

    Hovenier kishte thënë se vendimi për reciprocitetin për letërnjofime dhe targa është plotësisht i përshtatshëm dhe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit, porse ka kërkuar shtyrjen për 30 ditë, pasi sipas tij ka pasur dezinformata e keqkuptime ndaj vendimeve.

    Kjo bëri që Kosova të shtynte për një muaj zbatimin e vendimeve, por në ndërkohë Prishtina dhe Beogradi u pajtuan që të heqin krejtësisht dokumentin për hyrje/dalje, ndërkaq vendimi për targat nisi së zbatuari më 1 shtator.

    Kosova dhe Serbia duhej të arrinin një zgjidhje afatgjatë për targat në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, por kjo nuk ndodhi për shkak të qëndrimeve të ndryshme të palëve.

    Në anën tjetër, Serbia ka kundërshtuar ultimatumin e Qeverisë së Kosovës për tagrat, duke i mbështetur serbët e veriut që të mbajnë targat ilegale. /Reporteri.net

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!