Kur të gjitha shtetet po mbylleshin, Suedia dhe disa të tjera rezistonin pasi konsideronin se më e rëndësishme është që shëndeti mental i qytetarëve dhe familjeve të ruhet, se sa mbyllja nga një virus.
Sipas tyre, pasojat mund të ishin më fatale nëse shoqëria mbyllet gjatë, pa shpresë se një vaksinë kundër coronavirusit gjendet. Edhe këto ditë ata vazhdojnë të kenë raste me coronavirus, por më të hapur se shtetet tjera.
Në fakt shëndeti mental, në shtete më demokraci të gjatë e të zhvilluar edhe ekonomikisht e shkencërisht, është trajtuar me prioritet. Fushata të ndryshme konsultimi falas janë ofruar nga shteti. Liderët, shoqëria civile dhe mediat janë përpjekur të flasin për nevojën që të punohet në drejtim që njerëzit të mos kenë ankthe, depresion e mendime negative në këtë kohë izolimi. Para dy dite, vetë Duka Williams dhe Dukesha Kate apeluan para disa dite për një fokusim të madh në ruajtjen e shëndeti mendor të popullatës.
Në Kosovë ka kryesisht iniciativa private që janë ndermarrë për t’u kujdesur që të jenë pranë njerëzve që mund të kenë ankthe e stres në kohë izolimi tash më shumë se një muaj. Një grup psikologësh në Kosovë, në emrin NOKTA Group ka hapur një mundësi të shërbimeve psikologjike falas për qytetarët.
Reporteri ka biseduar me Eltira Sadiku, psikologe pjesë e këtij grupi. Në një intervistë për Reporterin, Sadiku thotë se tashmë dhjetëra qytetarë kanë telefonuar për konsulta.
Në vijim një intervistës me psikologen Sadiku ku shpjegonm se çfarë aktivitetesh duhet të bëjmë që të mos lejojmë t’i nënshtrohemi, çfarë ndikimi ka izolimi i tillë në psikologjinë tonë, çfarë pasojash do të ketë në familjet tona, në individin.
REPORTERI: Paniku vlerësohet se është pasoja kryesore nga kjo gjendje, e që më pas ky panik sjellë edhe dëme të tjera. Cilat janë veprimet që individi por edhe shoqëria duhet të bëjnë për ta mposhtur këtë panik apo çdo mendim negativ në mendjen e tyre?
Sadiku: Në mënyrë që të menaxhojmë sa më mirë panikun duhet të fokusohemi tek frymëmarrja dhe frymënxjerrja jonë e më së miri në këtë ndihmon meditimi. Duhet të përqendrohemi tek trupi jonë, të vetëdijesohemi për situatën aktuale dhe të kuptojmë që reagimet tona bëhen nga ne, kurse ne jemi ata që mund të bëjmë më të mirën nga reagimet ndaj panikut. Në vend se të fokusohemi tek reagimet negative duhet të bëjmë gjëra të ndryshme për të larguar mendjen që të shndërrojmë aktivitet në kënaqësi; qofshin ato punë shtëpie, përgatitja e ushqimit, ushtrimet fizike etj.
REPORTERI: Çfarë ndikimi ka arti, feja, sporti?
Sadiku: Të gjitha këto kanë ndikim për ruajtjen e shëndetit mendorë dhe shpirtërorë. Gjatë kësaj periudhe izolimi, rëndësi të madhe ka edhe kreativiteti artistik te individi. Duke marrë parasysh se arti përfshinë një spektër të gjerë dhe shumë fusha të ndryshme, kjo na bënë të kuptojmë se edhe njerëzit kanë mundësi që ta gjejnë targetin e tyre artistik me të preferuar. Rëndësia e të marrurit me këto aktivitete i kontribuon çështjes së zbrazjes dhe menaxhimit të aspektit psikologjik dhe emocional, dhe duke e transformuar gjendjen e brendshme në një vepër arti. Religjioni poashtu luan një rol të rëndësishëm në përballjen me situatën e izolimit, pasiqë si i tille në njëfarë mënyre e orienton individin drejt hapjes së dimensionit spiritual, në lidhje me qenien absolute Zotin, duke ia mundësuar përjetimin e një lidhje shpirtërore me transcendencën, ku në njëfarë mënyre i jep mbështetje emocionale dhe psikoligjike si dhe ndihmon në zhvillimin dhe hapjen e principit të shpresës dhe ndjenjave pozitive. Aktiviteti fizik në mënyrë të rregullt është shumë i rëndësishëm për përmirësimin e shëndetit në përgjithësi, fizik dhe mendorë, po ashtu zvogëlon shumë rrezikun për sëmundjet kronike të personave. Aktivitetet sportive tani në kushte shtëpie u ndihmon persona të jenë më pak të rrezikuar nga sëmundje të ndryshme.
REPORTERI: Cilat janë pasojat e izolimit për një çift e cilat për një beqar dhe cila është këshilla juaj?
Sadiku: Po, përgjigjja në këtë pyetje qëndron në vet personat si qenie unike. Ne mund të flasim hipotetikisht në këtë rast. Mirëpo një beqar/e mund të jetojë vet apo me familje dhe po ashtu një çift përbën një familje. Do të thotë se është krejtësisht e veçantë se si personat e ndryshëm reagojnë në situata të ndryshme, pasi që këtu vijnë në pah vlerat që janë mësuar që nga fëmijëria e hershme. Për disa të qenurit në izolim së bashku me familjen paraqet unitet, bashkim dhe forcim. Ndërsa për të tjerë izolimi mund të na rikthejë në problemet bazë që i kemi pasur paraprakisht në marrëdhënie. Gjithsesi nuk është izolimi shkaku i gjendjes sonë të mirë apo jo të mirë, në fakt çdo beqar/e apo çift duhet të kenë parasysh që izolimi po ju jep kohë dhe hapësirë për të komunikuar dhe ne është më së miri t’a përceptojmë këtë situatë si diçka shumë pozitive. Reflektoni sa më shumë me veten dhe ndaj të tjerëve.
REPORTERI: Ta zëmë se gjithçka kalon pas 1 muaji, pra flasim për 2 muaj izolim, çfarë pasojash do të marrim me vete?
Pasi që ende nuk kemi një konfirmim të saktë sa do të zgjasë izolimi, padyshim që rritja e izolimit shoqërorë do të ketë pasoja që do bartim me vete si: stresin, ankthin, ndryshimin e planeve për të ardhmen, stilin e jetës sepse njerëzit fillojnë me i ndryshu prioritet e tyre. Por nuk e dimë saktë çfarë ndryshime ndër të tjera do të ketë sepse siç e kam cekur dhe më parë çdo individ përjeton ndryshe këtë përvojë.
REPORTERI: A do të jenë njerëzit më të hapur apo më të mbyllur pas kësaj?
Sadiku: Për shkak të ndërrimit të prioriteteve njerëzit kanë me qenë më të mbyllur derisa të adaptohen me qëllimet e tyre të ndryshuara jetësore. Mirëpo mendoj se do të jenë më të hapur në aspektin e kërkesave të tyre ndaj të tjerëve: familjes, shoqërisë, kolegëve, institucioneve shtetërore etj.
REPORTERI: Distanca a ndikon që mendja jonë do të jetojë tash gjithmonë në frikë nga viruset?
Sadiku: Gjithsesi se ndikon mirëpo impakt të madh në këtë çështje ka kultura familjare në familjet shqiptare. Mendojë që njerëzit do të distancohen pak nga disa tradita të deritanishme. Të cilat i kanë kushtëzuar njerëzit që të qëndrojnë në hapësira të mbyllura me shumë njerëz të tjerë, pastaj përqafimet e tepruara ndaj fëmijëve do të zvogëlohen, përshëndetjet disa herë në ditë dorë për dorë do të zvogëlohen, jo nga mungesa e dashurisë për njëri tjetrin por nga ngritja e vetëdijesimit që të mbrohemi nga çdo gjë që rrezikon shëndetin tonë.
REPORTERI: Cilat mosha dhe kategori rrezikohen më shumë të kenë ankth ose mendime negative?
Sadiku: Besoj që mosha është irrelevante por që më të rrezikuar që të kenë ankth apo mendime negative konsiderohen personat me vetëbesim të ulët, personat me elemente neurotike, si dhe personat të cilët kanë pasur trauma të mëhershme.
REPORTERI: Cilat janë aktivitetet shtëpiake për ta ruajtur durimin dhe çka duhet të shikojmë ne televizion apo çfarë librash të lexojmë?
Sadiku: Në shtëpi mund të bëjmë aktivitete të ndryshme për të ngritur pozitivitetin në ambientin familjar apo me këdo që jeni të rrethuar gjatë kësaj kohe. Prindërit të luajnë lojëra të ndryshme me fëmijët më të vegjël : të vizatojnë, të ngjyrosin, të këndojnë e vallëzojnë së bashku, të inkuadrojnë në punët shtëpiake. Adoleshentët dhe të rriturit të merren me ushtrime fizike, punë shtëpiake, të lexojnë romane, proza, poezi, libra shkencorë, të shikojnë filma komedi dhe gjëra argëtuese në televizion. Poashtu edhe lojëra që inkuadrojnë më shumë pjesëtarë të familjes në to. Këto largojnë mendjen nga gjërat negative dhe rrisin afrimitetin ndërmjet anëtarëve familjarë.