×
  • Lajme
  • Lajme / Vendimi i Qeverisë

    Cilat prona të kryeterroristit Radoiçiq, “në pika strategjike”, do t’i shfrytëzojë Policia e Kosovës dhe sa është vlera e tyre

    Reporteri
    24 Korrik 2024 | 18:52

    Pronat e sekuestruara të kryeterroristit Milan Radojiçiq do t’u kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim institucioneve të sigurisë, pas ndryshim/plotësimeve që do të bëhen në Udhëzimin Administrativ. Këto prona përfshijnë vilën e tij buzë Liqenit të Ujmanit, Restorantin “Grey”, zyrën e  tij dhe “penthouse” që gjendet në të njëjtën ndërtesë si restoranti. Vlera totale e tyre vlerësohet të jetë mbi 3 milionë euro. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pronat gjenden në pika strategjike të territorit të Kosovës dhe se menaxhimi i tyre enga institucionet e sigurisë është i rëndësisë nacionale

    Reporteri.net.

    Pesë ditë pas sulmit terrorist që u krye në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar, Policia e Kosovës bastisi pronat e kryeterroristit Milan Radojiçiq, të cilat u sekuestruan më pas.

    Me miratimin e propozimit për ndryshim/plotësimin e Udhëzimit Administrativ, këto prona tash do t’i kalojnë në shfrytëzim institucioneve të sigurisë, përkatësisht Policisë së Kosovës. Këto prona përfshijnë vilën e tij buzë Liqenit të Ujmanit, restorantin “Grey” që ndodhet në Mitrovicë të Veriut, zyrën e tij dhe penthouse’in e tij.

    Kryeministri Albin Kurti deklaroi gjatë mbledhjes së Qeverisë se këto prona gjenden në pika strategjike dhe se shfrytëzimi dhe menaxhimi i tyre nga institucionet e sigurisë, është i rëndësisë nacionale.

    “Shkurtimi i procedurave të dhënies me qira të pasurive të paluajtshme pa ankand publik në fazën e sekuestrimit, është bërë me qëllim të përshpejtimit të kalimit të pronës së paluajtshme nga Agjencia në shfrytëzim të institucionit publik që e kërkon atë. Kjo për shkak se disa pasuri që tashmë janë sekuestruar gjenden në disa pika strategjike të territorit tonë, konkretisht në veri të vendit. Shfrytëzimi dhe menaxhimi i tyre enga institucionet e sigurisë është i rëndësisë nacionale dhe i kontribuon rritjes së sigurisë territorial në përgjithësi e posaqërisht qytetarëve të vendit tonë”, tha Kurti.

    Edhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e arsyetoi këtë propozim me synimin për rritje të sigurisë. Ajo tha se pronat do t’i kalohen në shfrytëzim Policisë së Kosovës.

    “Ky ndryshim është bërë me qëllim për shkak se disa prona që janë në fazën e sekuestrimit dhe që gjenden në pika të një rëndësie strategjike të kalojnë në menaxhim dhe shfrytëzim të institucioneve të sigurisë, me synim të vetëm për rritjen e sigurisë shtetërore, territorial dhe institucionale dhe rendit publik në atë pjesë të vendit. Bëhet fjalë për pronat e ish- kryeterroristit Milan Radojiçiq. Këto prona që kanë qenë të të tij, tash janë në menaxhim të Ministrisë së Drejtësisë, përkatësisht në Agjencisë për Menaxhimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar. Sipas diskutimeve që kemi pas, ne planifikojmë që këto prona t’i japim për Ministrinë e Punëve të Brenshme, gjegjësisht Policinë e Kosovës”, ka deklaruar Haxhiu gjatë mbledhjes së Qeverisë.

    Sa kushtojnë pronat e Radojiçiqit?

    Vlera e këtyre pronave në total është mbi 3 milionë euro, sipas vlerësimeve të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

    Prona më e vlefshme e Radoiçiqit vlerësohet të jetë vila e ndërtuar buzë Liqenit të Ujmanit, e cila u zbulua për publikun pas bastisjeve që u kryen lidhur me sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, për të cilin ai ka marrë përgjegjësinë.

    Vlera e kësaj vile është 1 mijë e 907 mijë e 493 euro. Më pas, për nga vlera renditen penthouse që vlerësohet se ka vlerë 644 mijë e 400 euro dhe restoranti në vlerë 400 mijë euro. Banesa e tij është vlerësuar se ka vlerë 69 mijë e 220 euro, derisa zyra e tij 82 mijë e 65 euro.

    Përveç pasurive të paluajtshme, në duar të shtetit janë edhe 31 automjete të konfiskuara e 8 të tjera të sekuestruara në vlerë prej 327 mijë e 570 eurosh.

    Të gjitha pronat e Radoiçiqit monitorohen e sigurohen përmes kamerave të sigurisë e nga Policia e Kosovës. Sipas Agjencisë, kostoja mujore e administrimit dhe sigurimit të pronave është 420 euro.

    “Ne përputhje me procedurat ligjore, AAPSK-ja ka ndërmarrë veprimet e duhura duke filluar nga evidentimi dhe fotografimi i gjendjes dhe gjësendeve në objekte. Janë zëvendësuar cilindrat në dyert hyrëse si dhe janë vendosur pajisjet për monitorim elektronik (kamerat dhe alarmet)”, kanë deklaruar nga kjo agjenci.

    Vilën e Radojiçiqit, e cila është e ndërtuar në tokën e Agjencisë Pyjore, Shteti ka planifikuar ta kthejë në stacion të Policisë së Kosovës, saktësisht për njësitin e barkave në Departamentin e Kufirit.

    Ndryshe, grupi terrorist i udhëhequr nga i sanksionuari nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Milan Radoiçiq, sulmoi Policinë e Kosovës më 24 shtator të vitit të kaluar, në Banjskë të Zveçanit, ku u vra heroi Afrim Bunjaku.

    Vlerësohet pasuria e sekuestruar dhe konfiskuar e Radoiçiqit, veç vila buzë Ujmanit i kushton gati 2 milionë euro

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!