×
  • Lajme
  • Lajme

    Çka ka Vetëvendosje që po i jep zor me Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së?

    Reporteri
    17 Janar 2020 | 22:09

    Ka një insistim të çuditshëm të Vetëvendosjes që Isa Mustafa ta mbledhë Këshillin e Përgjithshëm të partisë së tij, LDK-së, shkruan Reporteri.


    Ky insisitim i zyrtarëve më të lartë të VV-së, për tu përzirë në agjendën e partnerit të mundshëm të tyre po ndodhë tash e dy ditë. Dhe atë gati në çdo postim apo intervistë.
    Reporteri ka marrë deklaratat e disa zyrtarëve më të lartë të VV-së, të bëra rreth koalicionit, dhe në secilën prej tyre gjendet kërkesa që LDK-ja ta mbledhë Këshillin e Përgjitshhëm.

    Këto qendrime vijnë pasi LDK-ja refuzoi ofertën e VV-së dhe prezantoi një ofertë të re. Dhe për më tepër vijnë nga një deklaratë e ngjashme e Vjosa Osmanit. A po tenton VV-ja që të krijojë kriza në LDK?

    Përkundër deklarimit të qartë të Isa Mustafës që Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së nuk i trajton letrat dhe ofertat që vijnë, por parimet mbi të cilat LDK-ja merr qendrimet e veta në koalicion, ata prapë po insisitojnë.

    Kryetari i Vetëvendosjes ishte i fundit që e deklaroi këtë. Në një intervistë të shkurtë për Klan Kosova, ai tha:
    ”Në takimin e fundit në propozimin tonë na është thënë se do të kthehen në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së për ta marrë mendimin. Nuk jam në dijeni se ka dicka të re në këtë aspekt, mirëpo është e domosdoshme të arrijmë marrëveshje të qeverisim bashkë”. ”Të enjten e 9 janarit na është thënë ”do të pyetet Këshilli i LDK-së për propozimin tonë”.

    Gjatë ditës, të njejtën gjë e përmendi edhe Xhelal Sveçla:
    “Në takimin e fundit të dy subjekteve politike ne jemi dakorduar që oferta jonë të shkojë në Këshillin e Përgjithshëm të LDK-së dhe të marrim përgjigje zyrtare në këtë ofertë tonën. Sa i përket letrës, oferta e Levizjes Vetëvendosje është ofertë zyrtare e kësaj partie”, tha ai për Ekonomia Online.

    Katër ditë më parë edhe nënkryetari Besnik Bislimi e perseriti një gjë të tillë, kur publikoi ofertën e VV-së:
    “Në takimin e fundit me ekipin e LDK-së na është thënë që propozimi ynë për arritjen e marrëveshjes së koalicionit do t’i dërgohet Këshillit të Përgjithshëm të subjektit të tyre politik për vlerësim (pranim ose refuzim). Andaj është e pakuptimtë të deklarohet se jemi në pritje të propozimeve të reja nga ana e Vetëvendosjes!”, tha ai, shkruan Reporteri.

    Si për të mos mjaftuar, edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri e tha një gjë të tillë mbrëmë.
    “Si është e mundur që shkon letra te Kryetari i Partisë (Isa Mustafa) dhe ai thotë se nuk do të shqyrtojmë atë letër. Pse të mos merr mendimin edhe së paku të tre nënkryetarëve të kësaj partie”, tha ai,.
    Kryetari i Mitrovicës ka thënë se në LDK kanë frikë që propozimin e Vetëvendosjes për koalicion ta dërgojnë në Këshillin e Përgjithshëm pasi aty shumica e anëtarëve do ta përkrahnin koalicionin LVV-LDK.

    Por, cila ka qenë përgjigja e Kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa, pak ditë më parë.

    Me një shprehje të ftohtë në fytyrë, e zakonshme për të, ai tha:

    “Ne nuk kemi hy ta vlerësojmë atë çfarë na ka shkruar Lëvizja Vetëvendosje sepse nëse ne trajtojmë në organet tona, do të trajtojmë vetëm parimet me të cilat do të vazhdojmë bisedimet me Vetëvendosjes. Si të tillë, nuk e trajtojmë, nuk e shtjellojmë një pozicionim të tillë të Vetëvendosjes, por trajtojmë qëndrimet tona, se a mbetet LDK edhe më tutje në kërkesat për Kryeparlamentarin, Presidentit dhe pesë ministri. Qëndrimi i Këshillit të Përgjithshëm ka qenë ky që do të thotë ne duhet të kemi këto pozita dhe çdo ndryshim nuk mund të bëhet të themi pa marrjen e verifikimit të organeve tona. Brenda kësaj jave epilogu mund të jetë i organeve tona, sepse ne duhet të rikonfirmojmë qëndrimet tona, pas asaj do të shohim se si do të reflektojë edhe Lëvizja Vetëvendosje. Nëse ajo është përfundimtare atëherë edhe qëndrimi jonë do të jetë përfundimtar”, tha Mustafa.

    E ku ishte burimi i gjithë këtij insistimi të VV-së. Në veçanti një deklaratë e nënkryetares

    Vjosa Osmani, që ishte e kundërt me atë që ka thënë Isa Mustafa.

    Osmani, që po shihet si një pro VV e madhe në LDK, tha:

    “Pra është në vullnetin e po ashtu në ndërgjegjën e secilit anëtarë të Këshillit. Besojë që në ditët në vijim do të mbledhen edhe organet e partisë, të cilat e kanë detyrën sipas statutit që të vendosin për tema të tilla”, ka thënë Osmani.

    “Natyrisht që në Këshill të Përgjithshëm do të diskutojmë lidhje me rimandatimin e ekipit tonë, për të vazhduar negociatat dhe për parimet brenda të cilave do të vazhdojnë ato negociata dhe natyrisht anëtaërt e Këshillit do ta diskutojnë dhe do ta shprehin vullnetin e tyre lidhur me këtë temë. Mirëpo nuk është e drejtë që unë të paragjykoj se si mendojnë ata, sepse secili prej tyre ka mandat, por ka edhe përgjegjësi para qytetarëve të Kosovës, që ta jep vlerësimin në interes të vendit”, ka deklaruar para gazetarëve, Osmani. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!