Emisari amerikan, Gabriel Escobar, zhvilloi takime qysh prej mëngjesit të së mërkurës me eksponentë në Prishtinë. Fillimisht u takua me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, më pas, edhe me liderët opozitarë, Memli Krasniqin nga Partia Demokratike, Lumir Abdixhikun nga Lidhja Demokratike dhe Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Escobar, në prag të mbërritjes në Kosovë, tha se në fokus të vizitës do të ketë “një zgjidhje të mundshme për vendimin e pakoordinuar për të ndaluar dinarin serb”.
I dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të mërkurën pas një takimi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjeve të arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian (BE).
Ai i hodhi poshtë pretendimet e presidentes Osmani se BE-ja po tregon mungesë të qasjes së barabartë në ndërmjetësimin e dialogut.
“Të dyja palët duhet të vazhdojnë me zbatimin e plotë të marrëveshjes, pra nuk është përpjekje e njëanshme që vetëm Kosova t’i marrë ato vendimet e zorshme”, tha Escobar.
Osmani tha se është jetike të ketë zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritura vitin e kaluar mes palëve.
“Prandaj, qasja selektive vetëm ndaj neneve të caktuar të marrëveshjes bazike nuk do të ndihmojë, sepse të gjitha nenet kanë rëndësi”, tha ajo.
Osmani-Escobarit: Suksesi i dialogut varet nga çasja e barabartë e BE-së ndaj palëve
Përfaqësuesi i lartë amerikan e ka cilësuar vendim të vështirë, por i domosdoshëm për Kosovën.
“Dua të përmend se sa shumë është i rëndësishëm vendimi i sotshëm për Manastrin, ky ishte vendim i vështirë, por hap i domosdoshëm dhe i falënderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”, tha Escobar.
Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar sot në Mbledhje të Qeverisë së Kosovës se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale ta regjistrojë pronën Manastirit të Deçanit sipas aktgjykimit të vitit 2016, të Gjykatës Kushtetuese, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kreu i ekzekutivit në Mbledhjen e Qeverisë bëri të ditur se Kosovës i është bërë e qartë që të zgjedhin mes dy opsioneve, të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për të ecur përpara drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës këtë vit, apo të hiqet dorë nga çështja e Kosovës nga agjenda e anëtarësimit.
“Pas një procesi masiv të takimeve, vizitave e të komunikimeve na është bërë e qartë se nga shumë kushte që kemi pasur për anëtarësim në Këshill të Evropës, disa janë konstatuar që janë plotësuar e disa janë listuar si çështje jo urgjente. Por, njëri mbetet dhe nuk do të hiqet. Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për çështjen që lidhet me Manastirin e Deçanit. Qeverisë i është bërë e qartë nga komiteti i Asamblesë Parlamentare, nga grupet politike kryesore në Asamble Parlamentare që përfaqësojnë parlamentet e shteteve anëtare, nga shtetet e QUINT-it që duhet të zgjedhim mes dy opsioneve: Të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese e të na mundësohet ecja tutje, me qëllim anëtarësimin në Këshill të Evropës këtë vit, apo heqjen e çështjes së Kosovës nga agjenda e anëtarësimit, rrjedhimisht heqjen dorë nga një qëllim demokratik e shtetndërtues”, tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Escobari ka pritur për gati dy orë derisa qeveria konfirmoi vendimin për Manastirin e Deçanit.
Përfaqësuesi amerikan të martën në një takim online kishte përmendur pesë arsyet se përse SHBA-ja është kundër vendimit për ndalimin e dinarit.
Dorëzimi i kryeministrit Kurti para takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar
Pas takimit me opozitën, kreu i subjektit më të madh opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se komunikimi me aleatët strategjikë “është i domosdoshëm për t’i avancuar interesat e Kosovës”.
Ai tha se gjatë takimit me Escobarin kanë biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për vizionin “për një të ardhme më prosperuese” për shtetin.
“Kosova, çdo fitore dhe çdo sukses në rrugën e çlirimit, pavarësisë dhe shtetndërtimit e ka arritur me SHBA-në, prandaj, partneriteti ynë është i paalternativë edhe në rrugën e së ardhmes drejt integrimit euro-atlantik”, shkroi Krasniqi në rrjetin social Facebook.
Krasniqi në takimin e opozitës me Escobarin: Partneriteti ynë me SHBA-në është i paalternativë
Ndërkaq, kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në takim ka kërkuar që të rritet niveli i raporteve dypalëshe Kosovë-SHBA.
“Ka progres, por theksova se është shumë e nevojshme që agjenda e shtetit të Kosovës të shtyhet përpara me përgjegjësi të lartë shtetërore dhe institucionale drejt anëtarësimit në NATO si dhe Qeveria të jetë në bashkëpunim të plotë me aleaten tonë strategjike dhe të përjetshëm, SHBA-në”, shkroi ai në Facebook.
Haradinaj pas takimit me Escobarin: Kërkova të ngritet niveli i marrëdhënieve biletarale Kosovë-SHBA
Gjatë vizitës së tij, Escobar është takuar me opozitën dhe përfaqësuesit e komunitetit serb për çështjen e dinarit serb. Ai gjatë së enjtes do të takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Temë diskutimi pritet të jetë edhe vendimi për Manastirin e Deçanit./Reporteri.net/.