×
  • Lajme
  • Lajme / Ekonomi

    Çmimi i rrymës dhe inflacioni, Kurti: U shtrenjtua në krejt Evropën – tre muajt e fundit ndër 1 përqind, kemi stabilizim

    Reporteri
    06 Janar 2025 | 18:39

    Kryeministri Albin Kurti ka thënë se rritja e çmimit të energjisë elektrike vjen si pasojë e mungesës së kapaciteteve gjeneruese në Kosovë, e si pasojë duhet të importohet me çmimin e ngritur jashtë vendit.

    Kurti ka thënë se rryma nuk është shtrenjtuar vetëm në Kosovë, por në të gjithë Evropën, duke shtuar se aktualisht gjendja është më stabile.

    “Së pari rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ndodhur në krejt kontinentin evropian, dhe meqenëse ne nuk kemi kapacitete që ta mbulojmë konsumin e energjisë elektrike, nuk kemi kapacitete gjeneruese, detyrohemi të importojmë, dhe në këtë mënyrë ne e importojmë çmimin e ngritur jashtë vendit. Kjo ka qenë para tre vjetëve shumë e rëndë. Por tash që po flasim situata është shumë më stabile”, tha Kurti.

    Sa i përket inflacionit, sipas Kurtit, vetëm në vitin 2022 gjendja ka qenë më e rëndë, ndërkaq tani ka stabilizim sa i përket kësaj çështjeje.

    “Në këto katër vjet inflacioni ka qenë tepër i lartë në vitin 2022, është mbi 11 për qind. Inflacioni në këto katër vjet është diku rreth 22 për qind. Më shumë se gjysma e inflacionit në këto katër vjet, është në një vit të vetëm, 2022. Ai ka qenë vit më i vështirë. Ndërkaq në vitin 2024 që sapo e lamë pas, inflacioni ka qenë rreth 1.5 për qind, ndërkaq tre muajt e fundit të 2024-ës inflacioni ka qenë ndër 1 për qind. Pra tash kemi një stabilizim”, ka deklaruar ai në një intervistë për Kosova Press.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!