×
  • Lajme
  • Lajme

    Daçiç vazhdon me pretendime: “Szijjarto më premtoi që Hungaria s’e voton anëtarësimin e Kosovës në BE”

    Reporteri
    15 Dhjetor 2022 | 11:55
    Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç dhe Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Peter Szijjarto

    Për aplikimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiç, thotë se homologu hungarez i tij, Peter Szijjarto, “personalisht” i ka premtuar se do të votojë kundër saj, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Daçiç beson se përveç pesë shteteve mosnjohëse të Kosovës në BE që e kundërshtojnë këtë aplikim, është edhe një i gjashtë, përkatësisht, siç tha ai, Hungaria. Andaj, vazhdon të besojë ai, “fare” nuk do të hyjë në votim aplikimi i Kosovës.

    “[Peter] Szijjarto personalisht më premtoi se do të votojë kundër. Çështja është se a do të votohet fare, ose nëse Republika e Çekisë do ta kërkojë si çështje procedurale”, i ka thënë ai televizionit serb “Tv Happy”.

    Qasjen amerikane për themelimin e Asociacionin e quajti “korrekte”, kryediplomati serb Ivica Daçiç, derisa tha se “jo të gjithë” përfaqësuesit e bashkësisë evropiane “janë kaq të rreptë në këtë çështje”, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Daçiç tha se Ministrja e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, i ka thënë se “asnjë kryeministër i Kosovës s’do ta pranojë themelimin e Asociacionit”.

    “[Gabriel] Escobar tha se marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme. Disa përfaqësues tjerë të BE’së nuk janë kaq të rreptë në këtë çështje”, tha ai.

    Daçiç pretendon se përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar i kanë kumtuar atij se “problemi më i madh është Kurti” dhe se “për sa kohë Kurti të jetë në pushtet nuk do të ketë respektim të Marrëveshjes së Brukselit”.

    “Situata nuk është e thjeshtë. Serbët s’kanë vend ose s’kanë asnjë mënyrë për t’u kthyer në institucione”, ka pretenduar ai./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!