Daçiq: Serbët në veri të Kosovës nuk do të mbesin pa mbështetjen e Serbisë

Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, ka pretenduar se kryeministri Kurti “vazhdimisht po ndez zjarre” dhe se serbët që po barrikadojnë në veri nuk do të mbesin pa mbështetjen e Serbisë.

Në një paraqitje në televizioni publik serb, ai tha se do të kenë presione ditëve në vijim por që Serbia ka disa vija të kuqe që nuk do t’i tejkalojë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

“Së pari, nuk ka negociata për ato që tashmë kemi rënë dakord. Së dyti, nuk ka njohje të pavarësisë së Kosovës apo anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Dhe së treti, nuk tolerojmë sulme fizike apo rrezikim të sigurisë së serbëve. Këto janë vijat tona të kuqe”, theksoi Daçiq.

Daçiq tha se diplomatikisht e politikisht do përpiqen t’i mbrojnë qytetarët serbë që kanë ngritur barrikada në veri.

“Ata sigurisht që nuk do të mbeten pa mbështetjen e vendit të tyre. Të jenë të sigurt se ne do të bëjmë përpjekjet maksimale diplomatike, dhe shpresoj vetëm ato diplomatike, dhe politikisht t’i mbrojmë njerëzit tanë”, tha Daçiq.

Siç thotë ai, Serbia është e gatshme për paqe, por se sipas tij, “edhe pala tjetër duhet të jetë e gatshme për këtë”. /Reporteri.net/.