Polici Sali Mazreku sonte në Prizren ka vrarë të bijën rreth të njëzetave e më pas edhe veten, shkruan Reporteri.net.
Pas kësaj ngjarjeje të rëndë kanë dalë edhe pamjet nga vendi ku ka ndodhur krimi. Njësitet e Policisë së Kosovës shihen në vendin e ngjarjes duke e kryer ekzaminimin.
Ngjarja e rëndë që ka tronditur Prizrenin dhe Kosovën është konfirmuar edhe nga Policia e Prokuroria e shtetit.
Këto dy institucione kanë konfirmuar për vrasjen por ende nuk kanë dhënë arsyet se pse çuan deri te kjo ngjarje e rëndë.
Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Shaban Osmanollaj vetëm e ka konfirmuar rastin pa dhënë detaje të tjera.
“Me 15.12.2020, pak pas orës 19:16, Policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Durmish Asllani” në Prizren, janë dëgjuar të shtëna nga arma e zjarrit. Njësitet kompetente policore, menjëherë i janë përgjigjur vendit të ngjarjes, dhe bazuar në informacionet e para, në një shtëpi banimi janë gjetur dy trupa të pa jetë, vdekjen e të cilëve e kanë konfirmuar mjekët kompetent. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet policore përfshirë forenzikën, ekipet mjekësore dhe prokurorin, të cilët janë duke ekzaminuar vendin e ngjarjes si dhe duke kryer hetime intensive, lidhur me rastin”, tha ai.
Për rastin ka folur edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, ka konfirmuar se në Prizren janë gjetur të vdekur dy persona, dhe se njëri nga ta është zyrtar policor.
Shala ka treguar se tashmë Prokurori ka dalë në vendin e ngjarjes dhe po merret me rastin.
Siç ka thënë Shala dyshohet se relacioni mes dy viktimave është babë dhe bijë.
“Ka ndodhur një rast tragjik, ku ne një shtëpi janë gjetur 2 viktima, qe dyshohet se janë vrare nga arma e zjarrit. Viktimat janë familjare, babë e bije. Njeri nga viktimat dyshohet se është zyrtar policor. Prokurori se bashku me Policinë dhe njësite tjera relevante kane dalur ne vendin e ngjarjes. Nuk dihen akoma rrethanat se si ka ndodhur rasti”, ka thënë Shala.