×
  • Lajme
  • Lajme / Asambleja Parlamentare

    Debati për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në KiE, ngjarja kryesore e sesionit pranveror në Asamble

    Reporteri
    05 Prill 2024 | 12:54

    Kërkesa e Kosovës për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës do të jetë puna kryesore e këtij sesioni pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka njoftuar Asambleja Parlamentare, shkruan Reporteri.net. 

    “Një debat mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës dhe votimi i një projekt-opinioni, do të jetë një moment kryesor i sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (APKE), që do të mbahet në Strasburg më 15-19 prill 2024”, thuhet në njoftim.

    Po ashtu, APKE do të ketë në agjendë edhe një debat të përbashkët mbi “vdekjen e Alexei Navalny dhe nevojën për t’iu kundërvënë regjimit totalitar të Vladimir Putin dhe luftës së tij kundër demokracisë, si dhe një sërë çështjet të tjera.

    Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës.

    Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

    Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës. Hapi i radhës do të jetë më 16 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë. Më pas, gjatë muajit maj, trajtohet nga Komiteti i Ministrave, dhe Kosova pret që raporti të miratohet me 2/3 e ministrave të Punëve të Jashtme./Reporteri.net/.

    Lexo më shumë detaje mbi këtë temë. 

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!