×
Intervista / Intervistë

A mund të pengohet Kosova në rrugën drejt Këshillit të Evropës? Flet numri dy i diplomacisë, Ahmeti

Autor:Fortuna Shkodra Haliti
02 Prill 2024 | 19:10
Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti

Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës. Hapi i radhës do të jetë më 16 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë. Më pas, gjatë muajit maj, trajtohet nga Komiteti i Ministrave, dhe Kosova pret që raporti të miratohet me 2/3 e ministrave të Punëve të Jashtme.

Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, ka treguar rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë.

“Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme për qytetarët e vendit. Kjo sepse do t’i hapej mundësia secilit qytetar që në rastet kur drejtësia nuk vihet në vend në institucionet e Kosovës dhe pasi të jenë konsumuar ato, rastet të dërgohen në një nivel supranacional, siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, apo siç njihet ndryshe si Gjykata e Strasburgut”, u shpreh Ahmeti.

Ai ka treguar se si raportuesja për Kosovën, Dora Bakoyannis, ka kërkuar largimin e fusnotës që vendoset para emrit të Kosovës.

“Rreziku ka qenë i përhershëm që Kosova të trajtohet me fusnotë edhe pas anëtarësimit, por ne kemi argumentuar intensivisht dhe në detaje pse një gjë e tillë nuk duhet të bëhet. Ky rekomandim përputhet plotësisht edhe me faktin që Kosova përgjatë tërë procesit trajtohet si shtet”, tha Ahmeti.

Zëvendësministri i MPJD-së, ka folur edhe për votën kundër nga Mali i Zi.

“Më duhet ta sqaroj që ajo nuk përfaqëson qëndrimin shtetëror, por ka dhënë votën e saj si deputete. Ky shtet në Asamblenë Parlamentare përfaqësohet nga tre deputetë dhe unë jam i bindur që përbrenda delegacionit malazez shumica do të votojnë në favor të Kosovës”, tha Ahmeti ndër tjera.

Më 16 prill të këtij viti, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do ta votojë Opinionin përfundimtar që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Ahmeti tha se përderisa ky opinion rekomandon anëtarësimin dhe nuk parasheh parakushte, pret që Komiteti i Ministrave ta trajtojë çështjen në ministerialin e muajit maj dhe Kosova ta pranojë ftesën për anëtarësim pas miratimit nga 2/3 e ministrave të punëve të jashtme të 46 vendeve anëtare.

Reporteri.net: Z.Ahmeti, Kosova bëri edhe një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Cili është tash hapi i radhës?

Ahmeti: Pas opinionit pozitiv të Departamentit Ligjor të Këshillit të Evropës, të publikuar në shtator të vitit 2022, i cili sqaroi se nuk ka asnjë pengesë ligjore për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në këtë organizatë, dhe votimit të suksesshëm më 24 prill të vitit 2023, me ç’rast mbi 2/3 e vendeve anëtare votuan në favor të Kosovës dhe pesë nga dymbëdhjetë vendet mosnjohëse nuk e kundërshtuan fillimin e procesit të anëtarësimit, Kosova shënoi edhe një sukses të rëndësishëm më 27 mars të vitit 2024, me ç’rast Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci miratoi draft opinionin i cili thotë se Kosova duhet të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe i cili nuk parasheh parakushte përgjatë këtij procesi.

Procesi në vazhdim parasheh edhe dy votime. I pari do të jetë më 16 prill në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku rreth 300 delegatë të vendeve anëtare do ta votojnë përfundimisht Opinionin e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, dhe votimi i fundit nga ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në muajin maj. Në të dy këto votime nevojiten 2/3 e votave në favor, për të cilën gjë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po vazhdon lobimin intensiv të filluar qysh para aplikimit më 12 maj të vitit 2022.

Rruga drejt Gjykatës së Strasburgut

Reporteri.net: Çka do të thotë për shtetin e Kosovës anëtarësimi në KiE?

Ahmeti: Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të kishte rëndësi të jashtëzakonshme për qytetarët e vendit. Kjo sepse do t’i hapej mundësia secilit qytetarë që në rastet kur drejtësia nuk vihet në vend në institucionet e Kosovës dhe pasi të jenë konsumuar ato, rastet të dërgohen në një nivel supranacional siç është Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, apo siç njihet ndryshe si Gjykata e Strasburgut. Kjo do të kishte ndikim të madh edhe në përmirësimin e punës së gjyqësorit në Republikën e Kosovës. Për më tepër, Këshilli i Evropës ka me dhjetëra konventa dhe mekanizma të cilat promovojnë dhe mbrojnë të drejtat e të gjithë qytetarëve dhe secilit komunitet të shoqërisë, me theks të komuniteteve të margjinalizuara.

Ndërsa si shtet, Kosova do të bëhet e barabartë me 46 vendet e tjera anëtare, 12 nga të cilat janë shtete të cilat ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës. Kjo bëhet e mundur pasi Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës, në shtator të vitit 2022, ka deklaruar që procedura që duhet ta ndjek Kosova për anëtarësim është sikurse e çdo vendi anëtarë tjetër dhe procesi trajtohet sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës, i cili flet për shtete, “states”, dhe jo për vende, “countries.”

Anëtarësimi i Kosovës do të kishte ndikim jashtëzakonisht të mirë edhe në rajon. Pasi Kosova ka mbetur demokracia e fundit në Evropë e cila ende nuk është anëtare e Këshillit të Evropës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ende nuk ka juridiksion mbi vendin tonë. Ndryshimi për të mirë i kësaj situate do të bënte që të gjitha shtetet e Evropës Juglindore dhe qytetarët e tyre të kishin trajtim dhe mundësi të barabarta.

Kosova pa fusnotë

Reporteri.net: Mund të na flisni pak për raportuesen Dora Bakoyannis dhe për kontributin e saj në këtë çështje?

Ahmeti: Znj. Bakoyannis ka qenë raportuese e Këshillit të Evropës për Kosovën edhe para se ne të aplikojmë për anëtarësim. Për më shumë, ajo ishte edhe Ministri e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe vjen nga rajoni i njëjtë. Të gjitha këto bën që për raportuesen Bakoyannis dosja e Republikës së Kosovës të mos jetë e huaj dhe të mos ketë nevojë për vonesa në trajtim. Përgjatë procesit ajo ka treguar një qasje profesionale në raport me ne dhe temat kyçe, siç janë rekomandimi për anëtarësim, kriteret dhe denominimi i ka trajtuar në një mënyrë të drejtë dhe objektive.

Reporteri.net: Në raportin e Bakoyannis është kërkuar edhe largimi i fusnotës që vendoset para emrit të Kosovës, apo jo? Si do të veprohet?

Ahmeti: Neni 17.1 i Raportit të znj. Bakoyannis rekomandon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës dhe ky është një rezultat pozitiv i një pune të gjatë që e kemi bërë që nga aplikimi. Rreziku ka qenë i përhershëm që Kosova të trajtohet me fusnotë edhe pas anëtarësimit, por ne kemi argumentuar intensivisht dhe në detaje pse një gjë e tillë nuk duhet të bëhet. Ky rekomandim përputhet plotësisht edhe me faktin që Kosova përgjatë tërë procesit trajtohet si shtet, sipas nenit 4 të Statutit të Këshillit të Evropës. Pra, kur Kosova të ftohet nga Komiteti i Ministrave për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës, fusnota do të mbetet vetëm një kujtim jo i mirë nga e kaluara.

Kosova pret mbështetjen e Malit të Zi për anëtarësim në KiE

Reporteri.net: Z.Ahmeti, ka pasur reagime pasi një deputete e Malit të Zi, Maja Vukiqeviq, ka dhënë votën kundër anëtarësimit të Kosovës. As Qeveria, as kryeministri, as presidenti, e as kryetari i Parlamentit të Malit të Zi nuk kanë reaguar. Megjithëse, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorçeviq gjatë qëndrimit në Prishtinë, tha se Mali i Zi do të ketë votë pro Kosovës për anëtarësim. Si e komentoni këtë që ndodhi dhe a mendoni se do të votojë pro apo kundër Kosovës ky shtet?

Ahmeti: Më 27 mars, në mbledhjen e Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci kishim vetëm katër vota kundër aplikimit të Kosovës. Njëra nga to ishte nga një deputete nga Mali i Zi e cila është anëtare në këtë Komitet. Më duhet ta sqaroj që ajo nuk përfaqëson qëndrimin shtetëror, por ka dhënë votën e saj si deputete. Këtë e kam konfirmuar edhe më 26 mars gjatë konsultimeve politike me homologun tim malazez, në të cilin takim mu rikonfirmua mbështetja e Malit të Zi për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera rajonale dhe ndërkombëtare.

Përderisa në Komitetin për Çështje Politike dhe Demokraci nga Mali i Zi është vetëm një përfaqësuese, pra deputetja në fjalë, ky shtet në Asamblenë Parlamentare përfaqësohet nga tre deputetë dhe unë jam i bindur që përbrenda delegacionit malazez shumica do të votojnë në favor të Kosovës.

Serbia sërish shkelëse e marrëveshjeve

Reporteri.net: Në anën tjetër, flasim shkurt edhe për votën kundër të Serbisë. Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen Bazë në shkurtin e vitit 2023 në Bruksel, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u pajtuan për Aneksin e zbatimit të kësaj marrëveshjeje. Dhe, sipas nenit 4 të Marrëveshjes së shkurtit, Serbia nuk duhet ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare. Si e komentoni?

Ahmeti: Më 27 mars u shënua rasti më i fundit i shkeljeve të vazhdueshme që Serbia ia bën Marrëveshjes Bazike të 27 shkurtit dhe Marrëveshjes mbi Aneksin Zbatues të 18 marsit. Shkelja e parë e hapur e këtyre dy marrëveshjeve ndodhi po ashtu në Këshillin e Evropës, më 24 prill të vitit 2023. Për këto dy shkelje dhe të gjitha shkeljet që Serbia ia ka bërë së paku 8 pikave nga 11 pikat e Marrëveshjes Bazike, ajo nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian, që do të shërbente si metodë e obligimit të saj për respektimin dhe zbatimin e këtyre dy marrëveshjeve. Me këtë mungesë të masave nga Bashkimi Evropian, pritjet tona janë që Serbia do ta vazhdojë lobimin kundër Kosovës, që nënkupton shkeljen e mëtutjeshme të Marrëveshjeve.

Reporteri.net: Po votën kundër nga Bosnjë e Hercegovina?

Ahmeti: Edhe në rastin e Bosnjë Hercegovinës kemi të bëjmë më qëndrimin e një deputeti, që nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të shtetit. Unë pres që qasja konstruktive e Bosnjës dhe Hercegovinës do të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme, siç ishte me 24 prill të vitit 2023.

Kosova pas majit pret ftesën për anëtarësim

Reporteri.net: Për fund, më 16 prill Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep dritën jeshile, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj. Çfarë pret realisht Kosova?

Ahmeti: Më 16 prill të këtij viti, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës do ta votojë Opinionin përfundimtar që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Përderisa ky Opinion rekomandon anëtarësimin dhe nuk parasheh parakushte, unë pres që Komiteti i Ministrave ta trajtojë çështjen në ministerialin e muajit maj dhe Kosova ta pranojë ftesën për anëtarësim pas miratimit nga 2/3 e ministrave të punëve të jashtme të 46 vendeve anëtare. Siç është vërtetuar tashmë nga Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës, Raporti i Juristëve Eminent të Këshillit të Evropës, dhe tri raportueset e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të drejtuara nga Dora Bakoyannis, nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për anëtarësim dhe Kosova plotëson standardet e Këshillit të Evropës, madje i tejkalon disa prej tyre, dhe duhet të anëtarësohet pa asnjë parakusht shtesë./Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!