Kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari ka komentuar Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, duke thënë se nuk ka asnjë kërkesë kushtetuese për votim të hapur apo të fshehtë në seancën konstituive.
Ai thotë se do të ishte shkelje nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo, shkruan Reporteri.net.
Dehari ka sqaruar se neni 57 i Rregullores së Kuvendit nuk zbatohet për këtë seancë, dhe çdo mocion procedural është i pavlefshëm.
Sipas tij, refuzimi i deputetëve për të votuar komisionin për votimin e fshehtë është një refuzim i realizimit të një të drejte të garantuar nga Gjykata Kushtetuese.
Postimi i tij i plotë:
AKTGJYKIMI I GJYKATËS KUSHTETUESE PËR KONSTITUIMIN E KUVENDITPika 178 e Aktgjykimit thotë se as Kushtetuta, as Rregullorja e Kuvendit nuk përcaktojnë nëse mënyra e votimit në seancën konstituive duhet të jetë e hapur apo e fshehtë dhe se gjithashtu për seancën konstituive nuk vlejnë mocionet procedurale.
Neni 57 i Rregullores së Kuvendit nuk vlen për seancën konstituive, por vetëm për seanca plenare dhe atë vetëm në rrethana të caktuara, që janë shprehimisht të cekura në Rregullore.Gjykata Kushtetuese e ka konfirmuar që nuk vlen mocioni procedural në seancën konstituive. Rrjedhimisht do të ishte shkelje nëse do të pyeteshin deputetët se a jeni për votim të fshehtë apo jo.
Lidhur me propozimin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për kryetar të Kuvendit, ka pasur 6 votime të hapura të pasuksesshme.
Si kryesues i seancës konstituive në frymën e Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014 kam propozuar votimin e fshehtë me qëllim të konstituimit të Kuvendit.Vota për, kundër ose abstenim për komisionin për votimin e fshehtë nënkupton shprehjen e vullnetit të deputetëve për mënyrën e votimit. Normativisht, njëra mënyrë e votimit nuk ka më shumë vlerë a peshë sesa mënyra tjetër.
Refuzimi i deputetëve për të votuar komisionin është refuzim për të realizuar votimin e fshehtë, pra refuzim për realizimin e një të drejte, që e garanton Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese.