Ish-këshilltari i Asamblesë Komunale në Drenas Emri Lladrovci është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për mosdeklarim të saktë të pasurisë.
Një deklarim të tillë, i akuzuari Lladrovci e ka dhënë pas leximit të aktakuzës nga prokurori Arianit Salihu, të mërkurën në seancën fillestare.
“Nuk e di veten fajtor është fakt se ka mbetur kjo sipërfaqe e palujtëshërisë pa raportuar, mirëpo nuk ka qenë qëllimi im që ta fshehë këtë”, tha i akuzuari Lladrovci.
Gjatë deklarimit të tij lidhur me fajësinë, i akuzuari Lladrovci ka thënë se prona për të cilën flitet nuk është deklaruar vetëm për shkak të harresës.
“E kom bo kërkesën me qit pronën në emër temin, tani kur e kam bërë deklarimin më ka dal krejt ajo pronë, se ajo pronë shoqatat e dalura nga lufta ja kanë fal prindërve të mi, tash s’janë më ata janë të ndjerë, po prej pleqërisë s’kan mujt me shku mi qit në emër të vetin m’kan autorizuar mu me shku me qit”, shtoi ai.
E për këtë i akuzuari Lladrovci ka thënë se edhe në prokurori edhe në Agjencinë Kundër Korrupsion kishte shpjeguar se kjo ishte vetëm çështje harrese.
“Kur mkan thirr këta anti korrupsioni menjëherë ju kom thon po, por kur e kam bërë kërkesën që u dal në emër temin se kom dit hala”, ka thënë ai.
Më pas, gjykatësi Eroll Gashi e ka njoftuar atë me të drejtën se brenda afatit ligjor prej 30 ditës saktësisht deri më 8 janar 2022, mund të paraqes kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Lidhur me këto kërkesa gjykatësi Gashi tha se shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet, mirëpo për to do të vendoset jashtë seance.
Sipas aktakuzës, së ngritur më 24 maj 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Emri Lladrovci po akuzohet se në cilësinë e këshilltarit të Asamblesë Komunale në Drenas person ky i cili sipas ligjit është i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë i njëjti me dashje nuk e bënë një gjë të tillë.
Aktakuza thotë se, i pandehuri Lladrovci në formularin për vitin 2015, deklaron pjesërisht pasurinë e tij ashtu që nuk e paraqet sipërfaqen e paluajtshme prej 350 m2 e cila gjendet në zonën kadastrale Lubovë, përkatësisht nuk paraqet totalin e paluajtshmërisë prej 45247 m2 e cila gjendet në zonën kadastrale Gllanasellë, por vetëm sipërfaqen prej 3.61.21 ha të dyja këto sipërfaqe në emër, posedim dhe pronësi të tij.
Sipas aktakuzës, kjo gjendje vërtetohet sipas certifikatës së lëshuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Kontratës mbi dhuratën e paluajtshmërisë.
Me këtë, Lladrovci po akuzohet se ka kryer veprën penale “Mosraportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 437 paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /betimipërdrejtësi