Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur sot në një konferencë pas takimit që pati me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Nga Nishi, presidenti serb pranoi se janë afër zgjidhjes së një marrëveshjeje me Kosovën për çështjen e targave, dhe se duan paqe.
Ai tutje ka thënë se nuk qesin kushte dhe se dialogu i Bashkimit Europian është themeltar.
Ndryshe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen i ka bërë të qartë presidentit serb Aleksandër Vuçiq që Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian, pa e zgjidhur çështjen me Kosovën.
Ndryshe, një takim i nivelit të lartë ndërmjet Kosovës e Serbisë është zhvilluar dje në Bruksel.
Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti, gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur është finalizuar një draft dokument për zgjidhjen e çështjes së targave mes Kosovës dhe Serbisë. Marrëveshja sipas tij, është arritur me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, mirëpo të dyja delegacionet, ai i Kosovës dhe i Serbisë nuk kanë zhvilluar takim të përbashkët.
Ai nëpërmjet një shkrimi në Facebook, ka thënë se draft dokumenti përmban tri pika që parasheh që serbët të largojnë barrikadat, Kosova të tërheq Njësitë Speciale nga Veriu dhe aty të vendosen forcat e KFOR-it.
Mirëpo, Petar Petkoviq, kryesues i delegacionit të Serbisë në dialog me Kosovën ka thënë se ende nuk është arritur marrëveshje për targat ndërmjet dy vendeve.
Ndërkohë, edhe sot pritet të vazhdojnë bisedimet për targa në Bruksel, derisa pala serbe ende nuk ka konfirmuar nëse do të marrë pjesë në këtë takim./Reporteri.net