Deliu: Hoti humbi shansin historik për njohje reciproke me Serbinë, qytetarët duan rikthimin e PDK-së

Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu,kritikoi shefin e qeverisë, Avdullah Hotin, i cili sipas saj ka humbur shansin historik ta arrijë njohjen reciproke me Serbinë.


“Është vizitë e pritur, zyrtarët Amerikanë kanë treguar në Uashington që do të vijnë në Kosovë për vizitë. Ne e kemi dhënë qëndrimin tonë sa i përket këtij takimi. Shtëpia e Bardhë nuk hapet çdo vit, është hapur në 1999, 2008 dhe tash në 2020. Kemi humbur shansin historik që ta sigurojmë njohjen e ndërsjellë në Uashington. Ne kemi pritur që do ketë njohje për shkak të letrave të zotit Trump, një vit më parë. Shqetësim i yni është të mos kthehemi tek ato tema që tashmë janë mbyllur. Për ne ka qenë e pa pranueshme që tema e të zhvendosurve të jetë në takim. Pastaj çështja e resurseve të Kosovës ka qenë e panevojshme. Edhe minischengeni është gabim. Qëndrimi i para një viti i të gjitha subjekteve politike ishte kundër minischengenin, e tash kanë tjetërsuar ato deklarata. Ai ka ikur nga qëndrimi i tij kryesor për ta arritur njohjen reciproke. Ne kemi pritur atë që ai e ka thënë disa herë, se po shkon atje vetëm për njohje”, tha ajo.

Deliu thotë se proceset e mëdha për vendin, udhëhiqen më së miri nga Partia Demokratike e Kosovës.

Madje ajo thotë se kjo është dëshirë edhe e qytetarëve, të cilët sipas saj janë të zhgënjyer me partitë që udhëhoqën me vendin muajt e fundit.

“Qytetarët na thonë çdo ditë që PDK duhet të kthehet në Kuvend. Ata e dinë që proceset e mëdha për Kosovën duhet të ketë përfshirje të faktorit të veçante që ka qenë dhe është Partia Demokratike e Kosovës. Qytetari e ka kuptuar se ka rënë në lajthitje për mënyrën se si ka votuar. Pas 6 tetorit ka ndodhur një zhgënjim i madh, pasi nuk u arrit koalicioni i shpresës apo ndryshimi që u prit. Ne shohim një pozicion në udhëkryq të qytetarëve që janë të habitur nga zhvillimet që po ndodhin. Ata janë mësuar që PDK të udhëheqë vendin në këto procese”, tha Deliu.

E pyetur se pse nuk kanë dhënë nënshkrimet për mocionin e mosbesimit të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, Deliu tha se kjo është një nismë e pasinqertë.

Blerta Deliu tregon se nëse arrihen nënshkrimet e nevojshme për ta çuar mocionin në Kuvend, PDK do të votoi pro.

“Në kohen kur LVV ka dhënë idenë për një mocion, e kemi kuptuar se nuk ka asgjë serioze. Madje diku e dëgjova që nënkryetarja Nagavci ka thënë se kanë dashur ta sprovojnë PDK-në. Po e them nismë e pasinqertë pasi që këto nuk bëhën pa bashkëpunim mes subjekteve. Kur sigurohen 40 nënshkrime, mund të vazhdojmë tutje. Numri i deputetëve të PDK-së e LVV-së është i pa mjaftuar për të siguruar rrëzimin e qeverisë. Kjo qeveri është e brishtë. Sapo të sigurohen 40 nënshkrime ne do ta kemi rolin tonë brenda parlamentit për ta rikthyer besimin qytetar tek qeveria”, tha ajo.

Ndërkohë e pyetur se a ka Partia Demokratike e Kosovës kandidat për President, deputetja e këtij subjekti politik, Blerta Deliu, tha se nuk e kanë diskutuar një gjë të tillë.