Dënohen me burgim dy vëllezërit që vranë hajnin që u hyri në shtëpi

Gjykata Themelore në Ferizaj ka dënuar me tri vjet e tre muaj burgim vëllezërit Nrecaj nga Shtimja, të cilët më 7 gusht të vitit të shkuar, kishin vrarë një person që kishte hyrë me të tjerë për të kryer grabitje në shtëpinë e tash të dënuarve.


Sipas njoftimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj, ata janë dënuar për veprën penale të vrasjes në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme.

A.N. është dënuar me një vit burgim, ndërsa N.N. me dy vjet e tre muaj burgim.

Në njoftimin e Themelores bëhet e ditur se vëllezërit Nrecaj ishin përleshur fizikisht me grabitësit, ndërsa F.G., si pasojë e goditjeve me thikë kishte mbetur i vdekur në vend.

“Të pandehurit akuzohen se më 7 gusht 2019, duke vepruar në tejkalim të mbrojtjes së nevojshme kanë privuar nga jeta tani të ndjerin F.G., i cili paraprakisht me A.T., kishin hyrë të armatosur në shtëpinë e të pandehurve për të kryer grabitje dhe me të vërejtur i pandehuri N.N fillon të përleshet fizikisht me të njëjtit, ku dhe plagoset me armë zjarri në këmbë nga njëri prej tyre, të cilët më pas arrijnë që të largohen nga shtëpia me ç’rast të pandehurit me qëllim të mbrojtjes së pasurisë së tyre, e ndjekin deri në rrugën kryesore, dhe pas diku 300 metra arrijnë ta kapin dhe përsëri përleshën me tani të ndjerin, ku gjatë përleshjes me mjetin që arrin t’ia marrin nga dora tani të ndjerit – thikë, e godasin në pjesë vitale të trupit, ku nga këto goditje F.G mbetet i vdekur në vend”, thuhet në njoftimin e Themelores.