Gjykata Themelore e Pejës ka dënuar me 23 vjet burgim B.P. nën akuzën për vrasje të rëndë.
Gjykata ka njoftuar se më 21 korrik të vitit 2018, i pandehuri kishte vrarë vëllezërit R.B dhe A.B. pas një mosmarrëveshjeje për dru. Sipas njoftimit, viktimat, së bashku me një person tjetër J.G., ishin futur në një mal të huaj për të prerë drurë. Në momentin kur B.P. ka shkuar në vendin e ngjarjes, ka shkrepur me armë akoma të panjohur gjithsej 11 herë, duke lënë të vdekur dy vëllezërit.
“Trupat e tani të ndjerëve i ka larguar nga pylli i tyre duke i tërhequr përafërsish 61 metra nga vendi i ngjarjes dhe i ka vendosur në pjesën e cila nuk ka pronar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
“I pandehuri u obliguan që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajnë shumën prej njëqind (100) euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, shumën prej njëqind (100) euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej njëqind (100) euro, e të gjitha këto në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm”, thuhet tutje.
I pandehuri do të qëndrojë në paraburgim deri kur futet në fuqi aktgjykimi i fundit.