×
  • Lajme
  • Lajme

    Dënohet me 3 vite burgim dhe 500 euro gjobë i akuzuari për mashtrim me banesë

    Reporteri
    20 Qershor 2025 | 12:38

    Kadri Batusha i akuzuar për mashtrim rreth shitblerjes se një banese është dënuar me 3 vite burgim efektiv dhe 500 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

    Në shpallje të aktgjykimit ka marrë pjesë i akuzuari Batusha dhe avokati i tij Veton Rrecaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Sipas gjykatësit të rastit, Sabit Sadikaj palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh pasi që të pranojnë vendimin në formë të shkruar.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës më 23 janar 2023 e kishte liruar nga akuza për mashtrim të akuzuarin Batusha. Por, më 24 nëntor 2023, Gjykata e Apelit e ka kthyer këtë rast në rigjykim, për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe shkeljes të Ligjit Penal.

    Ndër të tjera, në këtë vendim thuhet se provat personale dhe materiale nuk i ka vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme, nuk i ka krahasuar njëra me tjetrën dhe që arsyetimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë është i mangët. Aty thuhet se Themelorja duhet të administrojë të gjitha provat personale dhe materiale në mënyrë të ligjshme dhe sipas nevojës të nxjerrë edhe prova të reja dhe të ftohet e të dëgjohet si dëshmitar Ragmi Zeqiri.

    Herën e parë ky rast ishte gjykuar nga gjykatësja Sulltane Hoti, kurse tani pas kthimit në rigjykim, rasti po gjykohet nga gjykatësi Sabit Sadikaj.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë më 16 dhjetor 2015 ka ngritur aktakuzë kundër Kadri Batushës, sepse më 16 maj 2014 në Prishtinë, është inicuar rasti kundër të njëjtit, me arsyetimin se ka vepruar në atë mënyrë që me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror në mënyrë të kundërligjshme, e ka sjellë në lajthim të dëmtuarin Nexhat Zejnullahu, duke e shtyrë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.

    Aktakuza thotë se i pandehuri Batusha duke fshehur faktet e ka bindur të dëmtuarin që të bëjë kontratë mbi shitblerjen e banesës, e cila ishte planifikuar të ndërtohet në Prishtinë, në lagjen “Mati 1”, me sipërfaqe prej 129,00 metra katrorë, me një çmim kontraktues prej 90 mijë e 300 euro.

    Tutje, akti akuzues thotë se i dëmtuari i ka besuar të pandehurit pas prezantimit të lejes së ndërtimit dhe planit të banesës, me ç’rast fillimisht në emër të çmimit kontraktues të pandehurit ia jep një veturë të tipit “Audi” në vlerë 25 mijë euro dhe 20 mijë euro para të gatshme.

    Kurse, pjesën tjetër të mbetur të parave prej 45 mijë e 300 euro i dëmtuari ia kishte paguar të pandehurit dy javë më vonë edhe pse banesa në fjalë nuk është ndërtuar kurrë, me ç’rast i dëmtuari ka pësuar dëm material.

    Me këtë, Batusha akuzohet se ka kryer veprën penale “Mashtrimi” nga neni 335, paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre deri në dhjetë vjet.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!