×
  • Lajme
  • Lajme

    Dënohet me katër vite burgim i akuzuari që për pronë theri 14 herë me thikë një person

    Reporteri
    29 Prill 2021 | 16:19

    Gjykata Themelore në Ferizaj, të enjten, e ka dënuar me katër vite burgim të akuzuarin për vrasje në tentativë, Leotrim Avduli.


    Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Mustaf Tahiri, i akuzuari po ashtu është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës të paguajë shumën prej 140 euro, në emër të paushallit gjyqësorë shumën prej 100 euro si dhe 50 euro në emër të kompensimit të viktimave të krimit, raporton “Betimi për Drejtësi”, transmeton Gazeta Online “Reporteri.net”.

    I dëmtuari Qerim Ndrecaj, kërkesën pasurore-juridike është udhëzuar ta realizojë në procedurë civile.

    Gjykatësi Tahiri bëri të ditur se kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar.

    Sipas aktakuzës, I pandehuri akuzohet se 08.09.2020 rreth orës 16:20, afër lokalit për auto-pjesë “Bashkimi” në fshatin Lloshkobare, Komuna Ferizaj, me dashje kishte tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Qerim Ndrecaj,në atë mënyrë që ka shkuar tek shtëpia e axhës së tij, ku më pas kishin ardhur Luljeta Ndrecaj, kushërira e tij së bashku me bashkëshortin e saj të dëmtuarin Qerim Ndrecaj dhe pas një mosmarrëveshje për një çështje pronësore, fillon një fyerje dhe sharje mes tyre, pastaj i pandehuri me një thikë, e sulmon të dëmtuarin duke e goditur një herë në pjesën e krahërorit, atëherë i dëmtuari ka filluar të ikë, duke dalë në rrugën kryesore, mirëpo i pandehuri e ka ndjekur nga mbrapa dhe ka arritur që ta godasë edhe disa herë me thikë (gjithsej 14 herë), në pjesë të ndryshme të trupit për të cilat plagë është trajtuar në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në Prishtinë deri më 15.09.2020.

    Me këtë kreu veprën penale vrasja në tentative nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!