×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetët e larguar nga VV-ja duan “t’i bashkojnë forcat”, në planet e tyre krijimi i një grupi të ri parlamentar

    Reporteri
    10 Maj 2023 | 19:03
    Haki Abazi dhe Fatmir Humolli. Fotografi ilustruese.

    Fatmir Humolli dhe Haki Abazi janë dy ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje që së fundmi janë larguar nga partia e pushtetit.

    Sidoqoftë, dy deputetët tashmë të pavarur duket se kanë në plan “t’i bashkojnë forcat” për krijimin e një grupi të ri parlamentar, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Humolli ka thënë sot se është në bisedime me Abazin për ta arritur këtë qëllim pasi, sipas tij, është e vështirë të kontribuohet në mënyrë individuale kur je në seancë.

    “Po, kemi biseduar me Haki Abazin që me bë përpjekje me ndërtu një grup për arsye se në mënyrë individuale nuk ka mundësi me kontribu. Në çfarë mënyre është duke punuar Kuvendi, deputeti në mënyrë individuale nuk mundet me qenë shumë krijues brenda seancës. E vetmja mënyrë është në grup me i shty gjërat përpara, të cilat mendojmë se ka nevojë Kuvendi i Kosovës”, deklaroi ai për RTV Dukagjini.

    Tutje, ai tha se programi që kishte Vetëvendosja gjatë fushatës elektorale ka devijuar, ndaj po duan që t’i realizojnë qëllimet e tyre që ia përcaktuan vetës gjatë fushatës.

    “Kosova ka nevojë gjërat e mira m’i shti në funksion të realizimit të programit politik që e kemi pasur në fushatën elektorale. Kemi rënë dakord me punu bashkërisht në pikat të cilat kemi afërsi mes vete. Hakiu ka disa pikëpamje që ndonjëherë unë s’kam pikëpamje të njëjtë me të, ai nuk ka pikëpamje të njëjta me mua, por duhet me i gjet pikat e përbashkëta ku kemi mundësi për të bashkëpunuar”, ka thënë Humolli.

    Deputeti Abazi disa herë ka ngritur dyshimet se brenda grupit parlamentar të Vetëvendosjes ka edhe deputetë të tjerë të pakënaqur.

    Për këtë, Humolli thotë se do të gjejnë gjuhë të përbashkët me secilin që është i interesuar të shtyjë gjërat përpara.

    “Ne do të gjejmë gjuhë të përbashkët me secilin që është i interesuar me i shty gjërat përpara. Ata të cilët janë të interesuar, ata që kanë vullnet edhe dëshirë me i realizua programin e fushatës elektorale, do të ketë mundësi me gjet gjuhë të përbashkët me neve”, ka shtuar Humolli.

    Haki Abazi nuk është deklaruar ende lidhur me këto plane. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!