×
  • Lajme
  • Lajme / Shpenzimet

    Deputetët nuk hoqën dorë, përfituan mijëra euro për karburante gjatë vitit 2024

    Autor:Xhemajl Rexha, Interaktiv Talks
    06 Korrik 2025 | 18:54

    Deputetët e Vetëvendosjes dhe partive tjera parlamentare të legjislaturës së kaluar e kanë harrur skandalin e vitit 2022, kur u zbuluan shifrat që merrnin në emër të udhëtimit nga qytete të ndryshme, në Prishtinë.

    Në atë kohë u zotuan se edhe do të heqin dorë krejtësisht nga ky përfitim, por siç ka zbuluar emisioni “Interaktiv Talks” nga gazetari Xhemajl Rexha, shumica e tyre kanë marrë shifra nga 600 mbi 1000 euro secili, gjatë vitit 2024, për karburante.

    Në mesin e atyre që kanë përfituar janë deputetë si Arbër Rexhaj, që supozohet se udhëton nga Prizreni. Kuvendit ardhja e tij në Prishtinë për seanca e komisione, i ka kushtuar 810 Euro.

    Afër tij, edhe deputeti i Guxo, Haxhi Avdyli gjatë vitit të kaluar mori 690 euro, sepse është nga Prizreni. Shumë më afër është Ferizaj, por nga aty për Prishtinë për 1 vit, Dimal Basha ia mori Kuvendit plot 680 Euro, kurse deputeti milioner po nga Ferizaj, Valon Ramadani futi në xhep 590 Euro. Për rrugën e supozuar Gjilan-Prishtinë, Arbëresha Kryeziu Hyseni mori në total 510 Euro.

    Tek partitë e tjera, dhe në përgjithësi, Pal Lekaj i AAK-së, duket se është kampion shpenzimesh. Për udhëtimet e pretenduara nga Gjakova në Prishtinë, Lekaj fitoi plot 1260 Euro, kurse më pak po nga Gjakova mori Hisen Berisha i PDK-së, 765 Euro. Nga Gjilani, deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku Rexhepi për udhëtimet në Prishtinë, mori 720 euro gjatë vitit 2024.

    Nga minoritetet dhe jo vetëm, edhe Duda Balje e komunitetit boshnjak prinë me përfitim të 1020 eurove, për udhëtimet e pretenduara nga Prizreni. Po nga ky qytet besohet se udhëtoi edhe deputeti i komunitetit rom, Erxhan Galushi që përfitoi në total 930 Euro. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!