Deputeti gjerman, Christian Schmidt, pas takimit me kreun e LDK-së, Isa Mustafa, është shprehur optimist se koalicioni mes VV-së e LDK-së, do të arrihet, siç ka thënë ai, duke u bazuar në bisedat që ka zhvilluar me dy palët.
“Kur bisedojmë me njëri-tjetrin dhe mund gjendet zgjidhja dhe ne këtë e kemi ndjerë te të dyja grupet, që ka një përkushtim nga të dyja anët”, ka thënë Schmidt, shkruan Reporteri.net.
Ai tha se sa i përket bisedimeve mes dy partive është realist.
“Në këtë rast nuk është e thënë që të krijohet një martesë dashurie. Njëri nga presidentët federal të Gjermanisë, kur ishte pyetur nëse e do vendin e tij, ai kishte thënë se e dua gruan time. Nuk duhet të krijohen lidhje dashurie, ajo që ka rëndësi është që të ketë besim në mes të palëve dhe kjo gjë është serioze”, tha ai.
Ai më tej tha se për Kosovën është me rëndësi të ketë qeveri stabile.
“Për një vend që ka dalë nga zgjedhjet paralamentare është e rëndësishme që të ketë qeveri stabile dhe mos të ketë lojëra taktike. Më e rëndësishme në politikë është që të ketë besim”, tha ai. /Reporteri.net/.