Deputeti i NISMA-s: Samiti i Parisit s’do të jetë reprizë e atij të Berlinit, të ulemi e të diskutojmë

Deputeti i NISMA-s, Zafir Berisha thotë se Samiti i Parisit që do të mbahet më 1 korrik nuk do të jetë reprizë e Samitit të Berlinit, andaj ai bën thirrje institucioneve dhe partive të organizojnë debate si në Kuvend por edhe tryeza politike që të bisedohet për këtë çështje.


Ai shprehet se kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron nuk po e orgazniojnë këtë takim sa për të bërë foto ose pse nuk kanë punë tjetër, shkruan Reporteri.net.

“ Takimi i paralajmëruar Kosovë-Serbi në Paris, nuk duhet të mirret me shumë ‘relax’, sepse nuk do të jetë ‘repriza; e samitit të Berlinit. Kjo përballje, me ndërmjetësimin e dy liderve të rëndësishëm evropian, nuk do të jetë vetëm për foto dhe as nuk do të organizohet për arsye se znj.Merkel dhe z.Macron nuk kanë që të bëjnë diçka tjetër.
Takimi i paralajmëruar në Paris, ka bërë një zhvendosje nga ajo për të cilën është përgatitur dhe ka debatuar Kosova gati për një vit, prandaj institucioneve dhe partive politike të Kosovës i duhet një mobilizim përmes një debati konstruktiv në realitetin e ri të krijuar, duke mos i përjashtuar tryezat dhe debatin në Kuvend të Kosovēs”, shkruan Berisha në Facebook.

Kujtojmë se Reporteri.net sot raportoi se kryekuvendari Kadri Veseli do të jetë sërish nikoqir i një takimi të liderëve institucional e politikë të Kosovës.

Kujtojmë se Samiti i Berlinit nuk ka dhënë ndonjë rezultat konkret rreth dialogut, por u tha se i ka dhënë një dimension tjetër dialogut Kosovë – Serbi.

Taksa e vendosur nga Kosova po e mbanë ende peng dialogun. Pezullimin e saj po e kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Franca. /Reporteri.net/.