×
  • Lajme
  • Raporto
  • Fokus / LIGJI PËR DHOMAT E SPECIALIZUARA

    Deputeti i shumicës: VV nuk është kundër ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale, por duhet ta bindim njëri-tjetrin se kjo e ndihmon procesin

    Reporteri
    29 Shtator 2026 | 15:03

    Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se kjo parti “nuk është kundër” ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale.

    Rrustemi tha se fillimisht duhet të analizohet nëse ndryshimi i ligjit do të ndihmonte procesin.

    “Unë ende s’jam i bindur. Nëse ata janë të bindur, le të diskutojmë me njëri-tjetrin”, tha ai në T7.

    Rrustemi tha se përmbajtja e ndryshimit të ligjit, sipas tij, nuk është çështja kryesore dhe se personalisht do ta votonte edhe zhbërjen e Gjykatës Speciale, nëse do të bindej se një nismë e tillë do ta ndihmonte procesin.

    “Përmbajtja, sado që është komplekse, unë personalisht do ta votoja edhe sikur përmbajtjen do ta kishte ekstreme deri në zhbërje, por nëse do ta bindnim njëri-tjetrin që kjo e ndihmon minimalisht procesin”, tha ai.

    Sipas Rrustemit, duhet të bëhet një analizë e rreziqeve që mund të sjellë një nismë e tillë, duke marrë parasysh edhe bazën kushtetuese dhe marrëveshjet ndërkombëtare që lidhen me Gjykatën Speciale.

    “Jo çfarë ka shkruar në projektligj. Por në raport me faktin që e kanë futë në Kushtetutë, në raport me faktin që ka një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, në raport me faktin që kemi dy marrëveshje ndërkombëtare, në raport me faktin që i kanë paraparë kësaj gjykate Avokatin e Popullit dhe Gjykatën e vet Kushtetuese…” tha ai.

    Rrustemi ka paralajmëruar edhe për rreziqet eventuale që mund të dalin nga ndryshimi i ligjit.

    “Gjykata Speciale e ka edhe Gjykatën e vet Kushtetuese. Ata mund ta trajtojnë këtë nismë. Mund ta betonizojnë heqjen dorë nga sovraniteti i shtetit, kur e kemi themelu këtë Dhomë të Specizlizuar”, tha ai.

    Ndërkohë, Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar në një aktgjykim të fundit se afati për zgjedhjen e presidentit përfundon më 6 tetor 2026. Nëse presidenti nuk zgjidhet deri atëherë, Kuvendi shpërndahet automatikisht dhe vendi shkon në zgjedhje të reja.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka thënë më herët se çështja e ndryshimit të ligjit për Gjykatën Speciale nuk duhet të lidhet me zgjedhjen e presidentit.

    “Ligji është mbi secilin kalkulim politik. Presidenti është konsensus politik, vullnet politik i subjekteve politike. Qysh kemi bërë ftesë në të kaluarën, bëjmë ftesë prapë të mbërrihet konsensusi. Por ligji e tejkalon. Ligji është obligim kombëtar i yni. Obligim për gjakun e dëshmorëve, obligim për gjeneratat që do të vijnë”, tha Tahiri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!