Deputeti i VV-së, Gazmend Gjyshinca, gjatë seancës së sotme ku po diskutohet rreth kërkesës së opozitës për themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për Rezervat Shtetërore, tha se do ta përkrahë formimin e këtij komisioni.
Gjyshnica tha se këtë do ta bëjë duke u bazuar në interesin publik.
“Është në interesin absolut të publikut që në mënyrë të detajuar qoftë nga gjyqësori qoftë nga legjislativi të kuptojë së çfarë ka ndodhur. Konsideroj që është në kuadër të deputetëve dhe kuvendi që t’i shërbejë interesit publik duke i zbatuar mekanizmat të cilat i garanton Kushtetua për ta bërë një gjë të tillë. Unë sot do ta përkrah krijimin e këtij komisioni”, tha ai.
Partitë opozitare kanë kërkuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore, si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore, nëpërmjet kualifikimit të procedurës si sekret shtetëror për furnizime të tilla.
Seanca e sotme është përcjellë me polemika mes të dyja palëve.
Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, tha se kërkesa për themelim të komisionit hetimor, nuk ka kuptim dhe synon të krijojë paralelizëm me organet e hetuesisë.
“Kjo kërkesë përveçse se nuk ka kuptim, synon të krijojë paralelizëm me organet e hetuesisë. Partitë opozitare jo rrallë herë kanë dalë në mbrojtje të Prokurorisë së Shtetit duke thënë se ne po iu cenojmë aktivitetin, derisa momentalisht po tregojnë mosbesimin përmbajtjesor ndaj punës së tyre se mendojnë që përfaqësuesit e kuvendit mund të jenë hetues dhe prokurororë më të mirë se organet e rendit”, ka thënë Kusari-Lila. /Reporteri.net/