Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka reaguar pas një videoje të publikuar dje në një medium qeveritar serb, e në të cilën shihet nënkryetari i Listës Serbe, i sanksionuari nga SHBA-të, Milan Radojiçiq, siç pretendohet diku në veri të Republikës së Kosovës.
Rexhaj ka thënë se Radojiçiq ose dëshiron të martirizohet ose të arrestohet, dhe thotë se njërën nga këto gjëra Radojiçiq dëshiron ta bëjë duke nisur një kryengritje të serbëve.
“Ky ose po don të martirizohet, ose të arrestohet, ose të nis kryengritje të serbëve ku ai e përjeton një nga dy të parat”, ka shkruar Rexhaj.
Milan Radojçiq, që është në kërkim si i dyshuar për përfshirjen në vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviq, është lajmëruar dje, nga siç ka pohuar ai nga veriu i Kosovës.
Nënkryetari i Listës Serbe përmes një videomesazhi i ka njoftuar serbët e Kosovës se është kthyer, madje thotë se nuk do të zmbrapset.
“Terrori i vërtetë kundër popullit tonë serb po fillon tani. Për popullin tim në veri dhe për të gjithë serbët, vetëm më lejoni t’u them, dhe atyre të tjerëve, unë jam këtu, jam kthyer dhe ju e dini se çfarë do të thotë sepse nga këtu nuk ka kthim prapa. Rroftë Serbia”, tha Radojçiq nga Leposaviqi.
Milan Radojqiq lajmërohet nga një kodër në Kosovë: Kam ardhur, nuk do të kthehem më