×
  • Lajme
  • Lajme

    Deputetja boshnjake i dërgon letër Ramës: Pse s’e votuat rezolutën, a është arsye raporti juaj me Vuçiqin?

    Reporteri
    14 Maj 2022 | 20:10

    Deputetja boshnjake, Sabina Cudiq, i ka dërguar një letër kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama pas refuzimit të Parlamentit shqiptar për ta votuar një rezolutë që do t’i dënonte krimet gjenocidiale të Serbisë në Srebrenicë të Bosnjë Hercegovinës. Ajo ka pyetur Ramën për arsyet e refuzimit të rezolutës dhe ka hipotetizuar nëse arsyeja është bashkëpunimi i tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në projektin Ballkani i Hapur.

    Ajo, përmes kësaj letre, i thotë Ramës se dëshiron që Shqipëria të jetë krah Perëndimit dhe jo në pozicionin, siç shkruan, ku ishte në kohën e Enver Hoxhës.

    Në letrën që deputetja i ka nisur Ramës, kujton se Gjykata Ndërkombëtare e Hagës ka konstatuar që në vitin 1995, se janë vrarë mbi 8,000 njerëz dhe janë dëbuar mbi 40,000 qytetarë boshnjakë nga lufta me Serbinë.

    Duke shpjeguar faktet, Cudiç ka kërkuar shpjegim nga kryeministri shqiptar se përse rezoluta nuk ka hyrë në agjendën e Kuvendit të Shqipërisë.

    “Në fillim ju përkujtoi që Gjykata Ndërkmbëtare e Hagës, në korrik të vitit 1995 ka konstatuar që janë vrarë më shumë se 8000 njerëz, dhe janë dëbuar mbi 40.000 qytetarë,ku shumica nuk u kthyen më në shtëpitë e tyre. Ne ende po i kërkojmë mbetjet mortore të mbi 1000 viktimave. Vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë pa asnjë dyshim kanë konstatuar se ndaj boshnjakëve të Srebërnicës është bërë gjenocid. Fatkeqësisht me duhet tu a rikujtoi me dhembje edhe në vitin 2022. Këto janë gjëra që nuk duhet të jenë objekt spekulimesh politike, nëse vërtetë ekziston vullneti politik që ky gjenocid të gjykohet me Rezolutë. Mbështetur nga deklaratat tuaja në të cilat e pranoni gjenocidin si dhe deklaratat e liderëve opozitarë të Shqipërisë, vullneti politik ekziston. Andaj keni detyrim t’i shpjegoni opinionit evropianë, veçmas shqiptarëve dhe boshnjako-hervegovasëve, pse Rezoluta për gjykimin e gjenocidit në Srebërnicë nuk hyri në agjendën e Kuvendit të Shqipërisë”, ka shkruar ajo.

    Ajo, duke iu drejtuar kryeministrit shqiptar, ka thënë se mënyra e tij joargumentative e të shpjeguarit për rastin në fjalë, është poshtëruese për viktimat dhe të gjithë njerëzit. Ajo ka shprehur përshtypjen e saj, që Rama nuk e ka pranuar votimin e rezolutës vetëm sepse ishte propozuar nga një parti opozitare.

    “Mënyra e Juaj lakonike për t’ia bartur përgjegjësinë opozitës nëpërmjet një Tëitëer-i, që nuk argumentoni asgjë, është poshtëruese, si për viktimat ashtu edhe për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, të cilët dënimin e gjenocidit nuk e shohin si problem privat dhe institucional, por si një justifikim për mos ta bërë këtë. Kjo më forcon mendimin se Rezoluta është përdorur për përleshje të brendshme politike në vendin tuaj. Për të qenë e drejtpërdrejtë, përshtypja e parë që më është imponuar, por që i imponohet edhe mbarë opinionit publik, është se problemi qëndron në faktin se propozimi ka ardhur nga partia opozitare”, ka shkruar tutje deputetja.

    “Po ju përkujtoi se askush nuk e ka penguar partinë e Juaj, që të propozojë dhe miratojë Rezolutën, pasi e keni shumicën në Parlament. Ju nuk e keni bërë këtë, por përgjegjësia morale dhe njerëzore dhe minimumi i arsyes politike, ka kërkuar që ta fusni në rend dite edhe pse ka ardhë nga kundërshtarët e juaj. Nëse kishit ndonjë mospajtim me përmbajtjen e saj, Parlamenti është vendi ku duhej të arrihej një konsensus i plotë lidhur me tekstin e Rezolutës”, ka vazhduar tutje në letrën e saj deputetja.

    Po ashtu, deputetja ka spekuluar, duke akuzuar Ramën se ai mund ta ketë refuzuar rezolutën edhe për shkak të implikimit të tij në çështjen e Ballkanit të Hapur, një projekt ku Rama bashkëpunon me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

    “Përshtypja tjetër e justifikuar, është se e keni shtyrë Rezolutën (e refuzuat?) për shkak të planeve në politikën e jashtme të Qeverisë Tuaj që konsistojnë me Ballkanin e Hapur dhe negociatat me Aleksandar Vuçiqin. Ju keni obligim të sqaroni se a ekziston për Ju ndonjë lëshim në politikën e jashtme që vlen të poshtroni viktimat e gjenocidit dhe nëse po, për çfarë bëhet fjalë. Dua të besoj se nuk është kështu. Ajo, që është e rëndësishme të dini, dhe ajo që ju duket se nuk jeni në dijeni, është se dënimi institucional i gjenocidit të Srebrenicës është një element koheziv i të gjitha forcave në mbrojtje të vlerave demokratike dhe të arritjeve më të mëdha të qytetërimit modern. Në anën e kundërt, janë forcat e udhëhequra nga Rusia. Në kontekstin e agresionit të tyre në Ukrainë dhe mundësinë e një gjenocidi të ri në Evropë, kjo nuk është më vetëm një ndarje vlerash,por edhe një ndarje blloku dhe llogore. Gjenocidi në Srebrenicë është vendi që e pozicionon Shqipërinë në atë ndarje më shumë se çdo gjë tjetër”, thuhet në letrën e deputetes, raporton Gazeta Express.

    Cudiq shkon tutje, duke i thënë Ramës se ajo dëshiron që Shqipëria të jetë me Perëndimin dhe ajo aty ku ishte në kohën e Enver Hoxhës.

    “Për respektin tim të madh për popullin shqiptar, dëshiroj që Shqipëria të jetë me Perëndimin dhe jo aty ku ishte në kohën e Enver Hoxhës. Përgjegjësia që keni ndaj popullit tuaj do të vendosë për këtë, dhe kjo reflektohet edhe në përgjegjësinë tuaj ndaj popullit të BosnjëHercegovinës, veçanërisht ndaj 8372 viktimave të gjenocidit dhe të gjithë atyre që ishin në lidhje familjare dhe miqësore. Shpresoj që Rezoluta për dënimin e viktimave të Srebërnicës do të aprovohet pa prijashtim nga të gjithë deputetët në Kuvendin e Shqipërisë në seacën e korrikut. Përgjigjet tuaja të sinqerta, në pyetjet që ju kam parashtruar, padyshim do të kontribuojnë në marrëdhëniet ndërmjet Bosnje e Hercegovinës dhe Shqipërisë, që do të mbeten miqësore edhe në planin politik. Në nivelin e marrëdhënieve ndërmjet qytetarëve tanë, ato asnjëherë nuk janë vënë në dyshim”, thuhet në fund.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!