×
  • Lajme
  • Lajme / Zbatim i marrëveshjes

    Dërgimi i komenteve në Bruksel, Kurti: Ekipi i Bislimit edhe tani është duke punuar për t’ju përgjigjur BE-së

    Reporteri
    18 Korrik 2024 | 11:14

    Në ditën kur dhe do të duhej të dërgoheshin komentet në Bruksel edhe nga pala kosovare për mënyrën e zbatimit të marrëveshjes për normalizim, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se para se të ketë kërkesa për zbatim duhet të kemi respektim të sinqertë të marrëveshjes, gjë që siç tha ai Serbia se ka bërë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Në konferencën për media pas mbledhjes së qeverisë, Kurti tha se Serbia e ka shkelur çdo javë marrëveshjen, e kulmi ka qenë me letrën e ish-kryeministres Ana Bërnabiq me letrën e dërguar 27 vendeve anëtare të BE-së.

    “Para se të kemi kërkesa për zbatim të marrëveshjes duhet të kemi respektim të marrëveshjes. Nuk mund të kemi zbatim të vërtetë nëse nuk kemi respektim të sinqertë dhe serioz. Serbia këtë se ka bërë, përkundrazi e ka shkelur çdo javë, duke kulmuar me atë letrën e Bërnabiq në mes të muajit dhjetor, ku Serbia praktikisht u tërhoq nga marrëveshja”.

    “Pra ne insistojmë në respektim të marrëveshjes dhe zbatim dhe për këtë nevojitet nënshkrimi, sepse do të ishte garanci e sinqertitetit dhe mirëbesimit për zbatim të marrëveshjes dhe do të spostonte të gjitha ato shkeljet e mëhershme”, tha Kurti para gazetarëve.

    Sa i përket komenteve, kreu i qeverisë tha se edhe në këto momente që ai po flet, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi është duke punuar, për t’ju përgjigjur Brukselit në mënyrën e merituar.

    “Ekipi i Bislimit është duke punuar dhe në këtë kohë që ne po flasim, në mënyrë që t’i përgjigjen Brukselit në mënyrë adekuate dhe të merituar e për këtë gjë do t’ju njoftojnë gjatë ditës së sotme edhe juve, ose nesër paradite më së largu”, tha kryeministri Kurti.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!