Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dje në Ferizaj. Katër persona, dy vajza të moshave nën 18-vjeçe dhe dy persona rreth moshave 29-vjeçare janë sulmuar me thikë nga një person.
Në rrethana ende të pasqaruara 59 vjeçari ka therur me thikë katër persona kalimtarë të rastit, dy vajza të moshës nën 18 vjeç dhe dy meshkuj (të moshave madhore, rreth 29-32 vjeçare).
Njëra ndër viktimat e këtij rasti është një 10 vjeçare.
Tre prej personave që u therën me thikë nga 59 vjeçari morën trajtim në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës dhe janë jashtë rrezikut për jetë.
I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ka njoftuar sot Policia e Kosovës në raportin 24 orësh.
“Ferizaj / 11.11.2024-15:36. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti dyshohet se ne tri lokacione të ndryshme në Ferizaj kishte sulmuar (therur me mjet të mprehtë –thikë) dy femra kosovare dhe dy meshkuj njëri shtetas i Shqipërisë dhe tjetri shtetas kosovar. Si pasojë e lëndimeve viktimat kanë pranuar tretman mjekësor ku dy prej tyre janë dërguar në QKUK. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.
Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, gjatë së hënës ka folur për Reporteri.net, lidhur me gjendjen shëndetësore të të lënduarve.
Ai ka bërë me dije se 10 vjeçarja është jashtë rrezikut për jetë.
“Janë tre, një është në sallë të operacionit, prej ekipit kujdestar të Anestezionit, Kirurgjisë Torakale dhe Kirurgjisë së fëmijëve, është diku 10-vjeçare. Ende është në sallë të operimit, për momentin është në gjendje më stabile, dhe për momentin jashtë rrezikut për jetë,” ka deklaruar Syla.
Edhe për dy personat tjerë që po trajtohen, Syla tha se janë jashtë rrezikut për jetë.
“Këta dy të tjerët janë në gjendje stabile,” ka deklaruar Syla për Reporteri.net.