Një ngjarje tronditëse ka ndodhur dje në Matiqan të Prishtinës, ku një foshnjë pa shenja jete është gjetur në një deponi mbeturinash, e futur brenda një qese plastike.
Personi që e ka gjetur foshnjën ka rrëfyer për Klan Kosova momentin e tmerrshëm kur e gjetën trupin e pajetë.
“Me shokun tem jam kanë dhe ai e ka parë qenin me një qese në gojë. Unë isha në oborr të tij dhe ka vrapuar, më ka thënë ‘leji ata hekra se po më duket një fëmijë i vdekur’. Jam shkuar dhe e kam parë, këmbët i kishin dalë jashtë qeses, dhe e pashë që fëmija ishte i vdekur”, tregoi dëshmitari.
Për rastin e djeshëm kanë folur edhe Prokuroria dhe Policia e Kosovës.
Policia e Kosovës ka thënë se foshnja është gjetur e pajetë dhe është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci për gazetën online Reporteri.net ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët, duke kërkuar që çdo person që ka informacione në lidhje me rastin të njoftojë Policinë e Kosovës.
“Rreth orës 11:00, policia ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për një foshnje të braktisur në afërsi të deponisë së mbeturinave në rrugën “Qëndresa” në Prishtinë. Të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se foshnja e porsalindur është pa shenja jete. Përderisa trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, me seriozitet është duke u trajtuar rastin dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen.”, ka thënë Borovci.
Rasti për gazetën online Reporteri.net u konfirmua edhe nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori kujdestar është njoftuar për rastin aktual, është në ndërmarrjen te gjitha masave dhe veprimeve hetimore për këtë çështje.”, tha Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala.