×
  • Lajme
  • Raporto
  • Lajme / Aktakuza e Prokurorisë Speciale

    Dëshmia tronditëse e ish-policit serb: “Legia” kërkoi tanke për të sulmuar shtëpitë e Jasharëve, u diskutua edhe për bomba fosforike

    Reporteri
    04 Shtator 2026 | 20:31

    Një dëshmitar me shifrën “D5”, i cili kishte shërbyer si pjesëtar i policisë në Kosovë gjatë viteve 1996-1998, ka dhënë detaje të rëndësishme për organizimin dhe zhvillimin e sulmit të forcave serbe në lagjen Jasharaj të Prekazit më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

    Në dëshminë e tij para Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, D5 ka përshkruar strukturën e Njësive të Veçanta të Policisë, komandën e tyre, përgatitjet para sulmit dhe atë që, sipas tij, kishte ndodhur gjatë tri ditëve të operacionit.

    Sipas aktakuzës së siguruar nga Gazeta Online Reporteri.net, ish-polici serb ka deklaruar se aktivitetet e këtyre njësive në Prekaz kishin nisur që në janar të vitit 1998, kur pjesëtarë të policisë kishin vëzhguar dhe përcjellë lëvizjet në fshat.

    Sipas tij, në Fabrikën e Municioneve në Skenderaj, konkretisht në një objekt të njohur si “Villa”, ishin vendosur pjesëtarë të Njësive të Veçanta të Policisë dhe të Njësisë për Operacione Speciale.

    Dëshmitari ka deklaruar se në atë periudhë në fabrikë kishte edhe pjesëtarë të Resorit të Sigurimit Shtetëror (RDB), të cilët, sipas tij, monitoronin kamerat e vendosura në rezervuarin e ujit të fabrikës.

    Ai ka thënë se kamerat kishin qenë aktive 24 orë dhe përmes tyre mund të shihej edhe lagjja e Jasharajve.

    Sipas dëshmisë së D5, më 4 mars 1998 “Villa” ishte shndërruar në shtab komandues ku u planifikua operacioni i së nesërmes.

    Dëshmitari ka identifikuar Goran Radosavljević, i njohur me nofkën “Guri”, si personin kryesor në këtë shtab, ndërsa ka përmendur edhe Sreten Lukićin, të cilin e ka përshkruar si komandant të Shtabit të Kosovës.

    Në shtab, sipas tij, kishin marrë pjesë komandantë të njësive të ndryshme policore dhe speciale, përfshirë edhe Millorad Ulemek, i njohur si “Legia”.

    D5 ka deklaruar se aty ishte hartuar plani operativ, sipas të cilit Njësitë e Veçanta të Policisë do të rrethonin Prekazin, ndërsa njësitë speciale do të sulmonin objektivat e caktuara në lagjen Jasharaj.

    Sipas tij, Njësitë Speciale Antiterroriste të Beogradit dhe Prishtinës kishin për detyrë të sulmonin shtëpitë e vëllezërve dhe kushërinjve të Adem Jasharit, ndërsa njësia e Novi Sadit do të merrte nën kontroll një bunker.

    Ndërkaq, D5 ka deklaruar se “Legia” kishte kërkuar që personalisht të udhëhiqte sulmin ndaj shtëpisë së Adem Jasharit, duke thënë se aty pritej rezistenca më e madhe.

    Sulmi nisi rreth orës 06:00

    Dëshmitari ka deklaruar se sulmi kishte nisur më 5 mars rreth orës 06:00.

    Sipas tij, njësitë ishin nisur në të njëjtën kohë, me qëllim që të ruhej faktori i befasisë.

    Ai ka përshkruar përdorimin e armatimit të rëndë, përfshirë topa kundërajrorë, mitralozë, snajperë, minahedhës dhe automjete të blinduara.

    Sipas D5, Njësitë Speciale Antiterroriste të Beogradit dhe Prishtinës kishin vënë relativisht shpejt nën kontroll shtëpitë që kishin sulmuar, ndërsa beteja kryesore ishte zhvilluar rreth shtëpisë së Adem Jasharit.

    Dëshmitari ka deklaruar se “Legia” nuk kishte arritur t’i afrohej shtëpisë dhe për këtë arsye kishte kërkuar nga shtabi që t’i dërgoheshin dy tanke.

    Skica e prokurorisë: Kështu e rrethuan forcat serbe familjen Jashari

    “Legia” kërkoi edhe bomba fosforike

    Një nga pjesët më të rëndësishme të dëshmisë lidhet me kërkesën e Ulemekut për përdorimin e bombave fosforike.

    D5 ka deklaruar se, pasi sulmet nuk kishin dhënë rezultatin e pritur, “Legia” kishte kërkuar cisterna me benzinë dhe lëndë djegëse, të cilat, sipas tij, ishin përdorur për t’u vënë zjarr istikameve dhe llogoreve jashtë mureve të shtëpisë.

    Pas dështimit edhe të kësaj përpjekjeje, dëshmitari ka thënë se Ulemek kishte kërkuar nga “Guri” që për ditën tjetër t’i siguroheshin bomba fosforike, të cilat do të hidheshin me minahedhës.

    Sipas dëshmitarit, Radosavljević ishte kundër kësaj kërkese dhe kishte kontaktuar Jovica Stanišićin, atëherë shef i Departamentit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.

    D5 ka deklaruar se Stanišić kishte ardhur personalisht në shtabin në “Villë”, i shoqëruar nga Franko Simatović.

    Sipas tij, Stanišić nuk e kishte lejuar përdorimin e bombave fosforike, por pas kërkesës së “Legias” kishte pranuar që të përdoren tanket.

    Dëshmitari ka thënë se situata në shtab ishte bërë e tensionuar, pasi operacioni që ishte planifikuar të përfundonte brenda disa orësh kishte zgjatur tri ditë.

    Më 7 mars u përdorën tanket

    Sipas D5, më 7 mars, në ditën e tretë të sulmit, forcat serbe kishin përdorur përsëri armatim të rëndë, minahedhës, granata dhe dy tanke.

    Ai ka deklaruar se njëri prej tankeve kishte avancuar deri te shtëpia e Adem Jasharit dhe kishte shkatërruar murin.

    Pas kësaj, sipas dëshmitarit, “Legia” kishte komunikuar përmes radiolidhjes dhe kishte njoftuar se operacioni ishte përfunduar me sukses dhe se objektet ishin nën kontroll.

    D5 ka deklaruar se pas përfundimit të sulmit në terren kishte mbërritur një ekip për sanimin e terrenit, i cili kishte mbledhur trupat e personave të vrarë dhe i kishte dërguar në Prishtinë për obduksion.

    “Në sulm ishin rreth 2 mijë pjesëtarë”

    Dëshmitari ka dhënë edhe një vlerësim për numrin e forcave të angazhuara në operacion.

    Sipas tij, në sulm mund të kishin marrë pjesë rreth 2 mijë pjesëtarë të strukturave të ndryshme policore dhe speciale.

    Ai ka përmendur tri regjione policore, rreth 200 pjesëtarë të Njësisë për Operacione Speciale, si dhe pjesëtarët e Njësive Speciale Antiterroriste nga Beogradi, Novi Sadi dhe Prishtina.

    Në dëshminë e tij, D5 ka dhënë edhe vlerësimin personal për mënyrën se si ishte zhvilluar operacioni.

    Ai ka deklaruar se, bazuar në përvojën e tij si pjesëtar profesional i policisë, sulmi nuk mund të konsiderohej “normal dhe i ligjshëm”, duke argumentuar se ishte përdorur forcë e tepruar.

    Sipas tij, forcat serbe e dinin se në shtëpitë e lagjes kishte civilë.

    D5 ka deklaruar se përmes kamerave kishte parë lëvizjen e grave, fëmijëve dhe të moshuarve në lagje.

    “Asgjë nuk e arsyeton vrasjen e fëmijëve dhe grave”

    D5 ka deklaruar se gjatë sulmit ishin vrarë shumë persona, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar.

    Ai ka thënë se asgjë, sipas tij, nuk mund ta arsyetojë vrasjen e fëmijëve, grave shtatzëna dhe personave të moshuar.

    Dëshmitari ka përshkruar edhe një grup prej rreth 15 deri në 25 civilësh, kryesisht gra, fëmijë dhe pleq, të cilët, sipas tij, ishin sjellë në Fabrikën e Municioneve gjatë ditëve të sulmit.

    Ai ka veçuar edhe një vajzë rreth 14-vjeçare, për të cilën Vlado Todorović kishte thënë se mund të ishte vajza e mbijetuar e Adem Jasharit.

    Sipas dëshmitarit, vajza ishte e frikësuar dhe kishte rroba të përgjakura, por nuk ishte e plagosur.

    Pas sulmit, ndryshuan uniformat për vizitën e korit diplomatik

    D5 ka deklaruar se pas përfundimit të sulmit në Prekaz kishin shkuar një autobus me anëtarë të korit diplomatik dhe gazetarë nga Serbia.

    Sipas tij, disa pjesëtarë të Njësisë së Posaçme të Policisë kishin veshur uniforma të kaltra të Policisë së rregullt dhe kishin vendosur shenjat e njësisë së tyre në këto uniforma.

    Dëshmitari ka thënë se kjo ishte bërë në mënyrë që të krijohej përshtypja se në operacion kishte marrë pjesë Policia e rregullt dhe jo njësitë speciale.

    Ai ka deklaruar se pas sulmit kishte parë shtëpi të shkatërruara e të djegura, ndërsa muret ishin të dëmtuara nga artileria e rëndë.

    Në fund të dëshmisë, D5 ka deklaruar se për takimet e mbajtura në shtab dhe për zhvillimin e operacionit ekzistonin incizime dhe raporte zyrtare në arkivat e Serbisë./Reeporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!