×
  • Lajme
  • Lajme

    Dështimi eventual i koalicionit VV-LDK: A ka gjasa të ndodhë PAN 2?

    Reporteri
    16 Janar 2020 | 14:48

    VV e Albin Kurtit dhe LDK e Isa Mustafës për shkak të, siç po thonë njohësit e aktualitet politik, ambicieve për pozita, po rrezikojnë të dështojnë formimin e të ashtuquajturit nga ta “koalicionin të shpresës” për të qeverisur me vendin.


    Nga premtimi i madh që bën para qytetarëve se do qeverisin bashkë dhe do rikthejnë shpresën për një Kosovë më të zhvilluar, këto parti tash kanë nisur fyerjet mes vete, shkruan Reporteri.net.

    Zyrtarëve të caktuar të këtyre partive tashmë i ka hyrë frika se nëse nuk arrijnë të lidhin koalicion dhe shkohet në zgjedhje të reja, atëherë PDK-AAK e NISMA do të bëhen sërish bashkë.

    Është Driton Selmanaj nga LDK-ja, i cili së fundmi ka thënë se Vetëvendosja mund ta rikthejë PAN-in në pushtet, nëse nuk arrin ta bëjë qeverinë.

    Por ai ka pasur një kërkesë nga VV, që nëse duan të hynë në koalicion me PDK-në ta bëjnë tani e mos ta çojnë vendin në zgjedhje.

    “Nëse shkojmë në zgjedhje e është situata e njëjtë vijmë në këtë ngërç. Nëse mendojnë se e kemi sa për të ndërruar partnerin, e kanë gabim. Më mirë tash le të bëjnë e jo të presin për më pas. Tash këtë mundësi e ka VV-ja. Nëse dëshirojnë koalicion me PDK-në mos ta torturojnë popullin po le të hyjnë tash. Nëse shkojmë e del njëjtë në afatin më të mirë do të kemi qeveri në qershor. Ku është ideja atëherë”, ka thënë ai.

    Por numri dy i VV-së, Besnik Bislimi ka thënë se edhe nëse shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme, VV nuk do të pranojë të bëjë koalicion me partitë që kanë qeverisur deri tani dhe se sërish do të synojnë të bëjnë qeverinë me LDK-në nëse nuk arrijnë të marrin 51 % të votave.

    Por sa është e mundshme të ndodh një koalicion parazgjedhor mes PAN-it, por edhe një qeveri e udhëhequr nga ta?

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, javë më parë ka hedhur poshtë një mundësi të tillë.
    “Sa i përket vijave të kuqe me PDK-në kam nder që kam udhëheq qeverinë edhe me PDK-në sepse kemi kryer shumë punë bashkë. Kam shprehur disa mospajtime me ata në disa momente kritike dhe nuk synoj kthim prapa. Për mua është kthim prapa një partneritet me PDK-në”.”, ka thënë Haradinaj.

    Se nuk do të rikthehen në “PAN 2” e ka thënë prerë edhe PDK-ja.

    Anëtari i kryesisë së PDK-së, Memli Krasniqi, ka pohuar se e kanë provuar atë “çorbë” dhe s’ka kthim prapa.

    “Nuk ka mundësi të ndodhë. E kemi provuar atë çorbë, dhe nuk ka dalë si duhet. Kemi pasur bashkëpunim të mirë paraelektoral dhe qeverisës dhe e kemi parë se nuk ka dalë si duhet. Është e mundshme që do i kishim fituar përsëri zgjedhjet. Por nuk do ishte e mirë për vendin dhe nuk e kemi ndërmend të i kthehemi”, ka deklaruar Krasniqi javë më parë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!